Komandanti i KFOR-it, Erhard Drews ka deklaruar se reduktimi i trupave ndërkombëtare në Kosovë do të varet nga situata e sigurisë në terren.
I cituar nga “REL”, njoftimet se do të ketë reduktim të trupave amerikane të KFOR-it, gjenerali gjerman e ka quajtur “një plan të vjetër”.
“Ky plan ka ekzistuar para ngjarjeve të korrikut në veri, kur KFOR kishte planifikuar të reduktonte trupat në Kosovë. Por për shkak të ngjarjeve, ky plan është shtyrë për një afat të pacaktuar”, ka deklaruar Drews.
Duke folur gjatë një vizite në qytetin e Vitisë, komandanti ka nënvizuar se ulja e pranisë së trupave të KFOR-it do të diskutohet në të ardhmen nga qarqet e larta të NATO-s.
Më tej, ai ka shprehur besimin se brenda 6 ose 8 muajsh do të nisë zbatimi i marrëveshjes për menaxhimin e integruar të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë.
Një ditë më parë mediat kosovare njoftuan gjithashtu se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre në radhët e NATO-s kanë vendosur ta mbajnë të pandryshuar numrin e trupave të tyre në Kosovë, me qëllim garantimin e sigurisë në vend.
Lajmin e bëri të ditur “RTK”, duke iu referuar burimeve nga Uashingtoni, sipas të cilave një gjë e tillë është vendosur në takimet e fundit të ministrave të Jashtëm dhe të Mbrojtjes të vendeve të NATO-s.
Sipas burimit, shkak për këtë vendim është bërë tensionimi i situatës në veri, para përshkallëzimit të të cilës Aleanca kishte menduar reduktimin e trupave të huaja me të paktën 2500 ushtarë. Nga këta 750 janë ushtarë amerikanë që ndodhen në bazën Bondsteel.
Pra, në këtë fazë nuk do të ketë tërheqje të njëanshme të trupave të Shteteve të Bashkuara, të cilat kanë deklaruar: “Së bashku kemi hyrë, së bashku do të dalim”.
Gjithashtu, mbështetja amerikane për KFOR-in dhe në vecanti forcat amerikane në Kosovë u konfirmua nga sekretarja e Shtetit, Hillary Clinton gjatë vizitës së fundit në Evropë.
Të njëjtën gjë bëri edhe shefi i Byrosë së Gardës Kombëtare, gjenerali Craig McKinley, gjatë vizitës që zhvilloi në fund të tetorit në bazën Bondsteel.
Top Channel