Dezertorë të ushtrisë siriane vranë 18 antarë të forcave të sigurisë së Presidentit Bashar al-Assad, lajmëroi të martën një grup për të drejtat e njeriut.
Sipas Observatorit Sirian për të Drejtat e Njeriut, ushtarë që braktisën pozicionet e tyre në agim, qëlluan ndaj një poste ushtarake pranë qytetit jugor të Jasemit, duke vrarë të gjithë antarët e patrullës.
Ndërkohë, Presidenti i Francës i kërkoi edhe një herë al-Assadit që të japë dorëheqjen, duke e akuzuar për “represion barbar”.
”Masakrat e kryera nga regjimi i Assad kanë ngjallur përbuzjen dhe revoltën e të gjithë botës arabe, Francës, Europës dhe të gjithë vendeve të tjera në botë”.
Ndërkohë, Ministrat e Jashtëm të Ligës Arabe do të takohen të dielën për të diskutuar rreth raporteve paraprake të dërguara nga vëzhguesit e tyre në terren në Siri.
Mbledhja urgjente do të vendosë nëse puna e misionit do të vazhdojë. Ekspertët besojnë se Liga do të tërheqë përfaqësuesit e saj nga vendi, pasi pavarësisht prezencës së tyre në Siri, nuk ka asnjë shenjë të tërheqjes së ushtrisë dhe qetësimit së dhunës së saj ndaj protestuesve.
Sipas raporteve të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, numri i viktimave të shkaktuara nga revoltat që kanë përfshirë vendin që prej marsit 2011 po afrohet pranë 6 mijë personave.
Top Channel