Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i adresoi kombit dhe shqiptarëve në të gjithë botën një urim me rastin e ndërrimit të viteve.
Në një komunikatë video të publikuar për shtyp nga Presidenca dhe të publikuar në faqen zyrtare të internetit, Topi transmetoi shpresat e tij më të mira që “jubileu i pavarësisë në vitin 1912 të gjejë të gjithë shqiptarët më të lumtur dhe të begatë”.
Në fjalën e tij, Presidenti veçoi nevojën që “Shqipëria të mos vonohet asnjë çast në procesin e demokratizimit të saj”, ndërsa shtoi: “Është një privilegj të ndaj me qytetarët e mi mendimet për çfarë lamë pas e dëshirat për Vitin e Ri”.
Në vazhdim mund të lexoni të plotë komunikatën zyrtare të Presidentit Topi
Të dashur bashkëkombas,
Të dashur motra e vëllezër shqiptarë kudo ku ndodheni, në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe në mbarë botën!
Me një ndjenjë shumë të veçantë dëshiroj të ndaj me të gjithë ju urimet e mia më të ngrohta në këtë festë tradicionale të shkëmbimit të viteve!
Së bashku me këtë urim, kam privilegjin e madh të ndaj me ju, bashkëqytetarët e mi, mendimet për çfarë po lemë mbrapa dhe dëshirat për vitin që po vjen.
U uroj të gjithë shqiptarëve, familjeve të tyre, të moshuarve dhe fëmijëve më shumë dashuri, më shumë ngrohtësi, më shumë respekt, më shumë besim për të ecur së bashku drejt një shoqërie dhe një jetë më të begatë dhe më të qetë në vitin 2012!
Në këto çaste të veçanta të jetës sonë, mendimi im shkon tek të gjithë ata, të cilët nuk mund të jenë më afër nesh, por që mungesa e tyre na e shton më shumë përgjegjësinë për një të ardhme më të mirë për fëmijët tanë. Me shumë respekt dhe mirënjohje ju ftoj të gjithëve të ndajmë urimin me ushtarakët tanë, të cilët ndodhen larg familjeve të tyre për të mbajtur lart flamurin shqiptar në misionin e tyre për paqe dhe demokraci si anëtarë të denjë të NATO-s!
Urimi im shkon në këto çaste të ndryshimit të viteve për të gjithë qytetarët shqiptarë, për të gjithë brezat, për të moshuarit, për fëmijët, për të rinjtë, për nënat, për prindërit, për të gjithë ata të cilët sot më shumë se kurrë hapin zemrën e tyre për të ndarë urimin e sinqertë: Gëzuar Vitin e Ri 2012! Por në mënyrë të veçantë unë dëshiroj të ndodhem sot pranë atyre, të cilët kanë nevojë të mos jenë vetëm ose nuk kanë mundësi të festojnë, pranë atyre, të cilët padrejtësisht janë në nevojë për një familje, për fëmijë, për prindër, për një jetë më të mirë e për një të ardhme të qartë!
Viti 2012, të dashur shqiptarë, është viti më i bukur historik. 100-vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë na bën sa krenarë, aq edhe përgjegjës përpara njëri-tjetrit. Urimi im për vitin jubilar të Pavarësisë sonë është një reflektim i thellë për të gjitha detyrimet që duhet të përmbushim për të ndërtuar, ashtu siç e meritojmë, një Shqipëri të fortë, demokratike dhe të drejtë.
Viti 2012 është viti i përgjegjësive të mëdha. Ashtu si edhe unë, të gjithë shqiptarët urojnë sot që shoqëria shqiptare të shndërrohet në një shoqëri që udhëhiqet nga vlerat dhe virtytet, në një mjedis ku qytetari ta ndiejë veten të lirë dhe të barabartë, në një hapësirë ku demokracia dhe ligji të kenë peshën dhe rëndësinë që kërkon koha dhe e ardhmja! Në vitin 2012, gjithë shqiptarët urojnë, ashtu si edhe unë, që të gjitha arritjet e deritanishme në procesin e afrimit me Evropën e Bashkuar të na nxisin të përballojmë së bashku sfidën dhe detyrimin madhor për të fituar statusin e vendit kandidat dhe përcaktimin e hapave të mëtejshme të anëtarësimit.
Historia dhe populli shqiptar pret shumë më tepër nga të gjithë ne në vitin 2012. Shqipëria, të dashur motra dhe vëllezër, nuk duhet të vonohet asnjë çast në procesin e demokratizimit të saj. Situata e përkeqësuar politike me pasojat e saj tepër negative për integrimin e vendit kërkon një analizë të thellë. Le të mbetet pjesë e padëshiruar dhe kujtim i keq i vitit që po lemë pas. Ecja përpara e vendit dhe përmirësimi i jetesës së qytetarëve nuk duhet të ndihen të rrezikuara në vitin e njëqindtë të formimit të shtetit shqiptar.
Viti i ri që po vjen është viti ynë, të dashur motra e vëllezër shqiptarë.
Të gjithë bashkë dhe vetëm duke punuar së bashku 100-vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë mund të na bëjë të jemi krenarë për të tashmen dhe të ardhmen. Vetëm duke qenë të bashkuar në qëllimin tonë, do të mund t’u sigurojmë shqiptarëve një jetë më të mirë dhe një të ardhme të sigurt. Vetëm duke bashkuar energjitë tona rreth vlerave të trashëguara nga ata, të cilët hodhën themelet e para të shtetit shqiptar do të mund të festojmë një njëqindvjetor të lavdishëm. Vetëm duke i qëndruar më afër njëri-tjetrit do të mund të ndiejmë e të provojmë se forca jonë për të ecur përpara është shumë herë më e madhe se çdo tundim tjetër. Unë dua të besoj tek ju dhe tek forca juaj, të dashur qytetarë! Unë besoj tek ju!
Gëzuar! Rroftë Shqipëria dhe populli shqiptar! Rroftë 100-vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë!
Berisha uron shqiptarët
Kryeministri Sali Berisha, në prag të ndërrimit të viteve, i ka uruar të gjithë shqiptarët, kudo që ndodhen, për Vitin e Ri 2012.
Në mesazhin e tij, Kryeministri Berisha shprehet:
Para se ora të shënojë me akrepat e saj ndërrimin e viteve unë si familjar, si mik e dashamirës, si qytetar por edhe si Kryeministër, dua të vij afër jush, të ndaj me ju gezimin e kësaj nate dhe të bashkoj mesazhin e urimit tim, të familjes sime dhe të qeverisë me mesazhet e shumta që ju merrni sonte me kartolina, letra, SMS, facebook, tëitter, dhe me shumë përzemërsi të uroj sejcilin prej jush dhe të gjithë të dashurit tuaj, të gjithë shqiptarët, Gëzuar Vitin e Ri 2012, vitin e Flamurit tonë!Le të sjellë viti i 100-vjetorit të Shqipërisë së pavarur, shumë gëzime, shëndet, lumturi dhe suksese për çdo njërin prej jush, në çdo zemër dhe vatër shqiptare kudo që festoni sonte, në shtëpitë tuaja, lokalet me miq e të dashur, brenda apo jashtë vendit, në misione diplomatike, misione paqeruajtëse në Afganistan, Bosnje apo gjetiu, në udhëtime, në spitale, institucione të vuajtjes së dënimit! Gëzuar të gjithëve!, uroi Berisha.
Kryeministri kujtoi në këtë ditë edhe ata qytetarë që përjetuan gjatë vitit që po kalon, dhimbje, pikëllime shpirtërore nga skamja, sëmundje apo humbje te njerëzve të tyre më të dashur.
Top Channel