Të pakten 10 protestues u vranë nga forcat e sigurisë siriane, ndërsa dhjetëra mijëra persona dolën në rrugët e Sirisë, kundër presidentit Bashar Al Asad.
Aktivistët thanë se protesta më e madhe u zhvillua në provincën veri-perëndimore Idlib si dhe në qendër të qytetit të Hama-s, ku pesë persona u qëlluan për vdekje. Pesë të tjerë u vranë në qytetin jugor të Deraas.
Opozita i kërkoi njerëzve të merrnin pjesë në protesta për tu dëshmuar vëzhguesve të Ligës Arabe shkallën e revoltës anti-qeveritare. Sipas Observatorit Sirian për të Drejtat e Njeriut, me qendër në Londër, të paktën 250 mijë persona protestuan ne Idlib. Televizioni Al Xhazira transmetoi pamje nga Homsi ku një turmë gjigande njerëzish bërtiste: “Revolucion, revolucioni i Lavdisë dhe Lirisë për Sirinë”.
Gjithashtu, aktivistët thanë se mbi 20 protestues në Duma, në periferi të Damaskut ishin plagosur nga bombat e mbushura me gozhdë. Vëzhguesit e Ligës Arabe po vizitojnë vendin për të verifikuar zbatimin e inisiativës për paqen, që kërkon fundin e dhunës, tërheqjen e ushtarëve nga rrugët dhe lirimin e të burgosurve politikë.
Organizata e Kombeve të Bashkuara thotë se mbi 5000 persona u vranë gjatë protestave që nisën në mars kundër presidentit Bashar Al Asad. Qeveria thotë se po lufton bandat terroriste dhe 2000 forca të sigurisë kanë humbur jetën gjatë kësaj beteje.
Top Channel