Vlorë, bllokohen prona me dokumente të falsifikuara

29/12/2011 00:00

Kanë mjaftuar dy raste hetimi të njësisë Task Force kundër krimit ekonomik dhe korrupsionit në Prokurorinë e Vlorës që të faktoheshin përfitimet e trojeve nëpërmjet dokumenteve të falsifikuar dhe të sekuestrohen 9 apartamente, 3 dyqane dhe një garazh, që u përkisnin dy personave.

Rasti i parë është ndaj shtetasit Strati Xhelili nga Dukati, i cili gjatë hetimit dhe më pas gjykimit rezultoi se nëpërmjet dokumenteve të falsifikuar kishte përfituar një siperfaqe toke prej 550 metra katrorë në të cilën ishte ndërtuar një pallat shumëkatësh dhe ku Xhelili kishte përfituar tre apartamente, një dyqan dhe një garazh.

Me vendim të Gjykatës së Vlorës, Xhelili u shpall fajtor duke u dënuar me 5 vjet burgim, 2 milionë lekë gjobë, ndërsa i janë konfiskuar tre apartamentet, dyqani dhe garazhi.

Në një tjetër dosje, me të njëjtin objekt hetimi, Gjykata e Vlorës me kërkesë të prokurorisë ka vendosur sekuestron preventive ndaj 6 apartamenteve dhe dy dyqaneve të cilat ishin përfituar nga i akzuari me iniciale G.B.

Edhe ky i fundit nëpërmjet falsifikimit të dokumenteve kishte regjistruar në emër të tij një sipërfaqe trualli prej më shumë se 1 mijë metra katrorë, ku është ndërtuar më pas një pallat.

Burime pranë organit të akuzës të qytetit bregdetar bëjnë të ditur se kanë në hetim raste të tjera të ngjashme, ndërsa për cdo rast që do të vërtetohet përfitimi i pronave në mënyrë të paligjshme do të aplikohet konfiskimi i tyre.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA