Bursat europiane optimiste

29/12/2011 12:45

Bursat evropiane shfaqën një farë optimizmi pas rritjes së kërkesës për bonot e borxhit afatshkurtër të Italisë.

Kostoja e borxhit italian u përgjysmua ne ankandin e së mërkurës, me sa duket për shkak të paketës së re të masave shtrënguese të qeverisë së kryeministrit Mario Monti, si dhe masave të Bankës Qendrore Evropiane.

Por lajmet e mira nga ankandi i parë i organizuar që kur BQE u akordoi bankave të eurozonës kredi trevjeçare me vlerë 490 miliardë euro dhe me interes të ulët, nuk kanë mjaftuar për të fashitur shqetësimet mbi krizën e eurozonës.

Në fakt, ato janë ripërtërirë sërish duke e cuar monedhën e përbashkët në nivelin më të ulët të 10 viteve të fundit kundrejt jenit japonez.

Një euro është shkëmbyer me 100,35 jen, cka nuk ndodhte që prej korrikut 2001. Monedha e trazuar u zhvlerësua edhe kundrejt dollarit dhe paundit britanik.

Këtë javë bankat kanë depozituar shuma rekord pranë BQE-së, duke shtuar frikën e një ngërci të kreditit. Rritja e përdorimit të depozitave të Bankës Qendrore Europiane interpretohet si reflektim i nervozizmit mes bankave të kontinentit të vjetër përsa i takon huadhënies tek njëra-tjetra.

Mund të jetë një shenjë tensionimi e tregut, thonë ekonomistët, por mund të ketë edhe shpjegime të tjera, si për shembull përdorimi i facilitetit është ndoshta reagim ndaj ndërhyrjeve të fundit të BQE-së.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA