Numri i vrasjeve në Venezuelë ka arritur një rekord të ri gjatë 2011-s, lajmëroi të mërkurën një grup i specializuar i shoqërisë civile.
Observatori i Dhunës në Venezuelë informoi se të paktën 19 336 raste vrasjesh janë regjistruar në 2011-n, një mesatare prej 53 në ditë.
Një shifër e tillë është e dyta më e larta në botë (pas Hondurasit) në një vend të papërfshirë nga konfliktet ushtarake dhe katër herë më e lartë se në Meksikë, ku është në vazhdim prej disa vitesh një luftë e hapur midis autoriteteve dhe karteleve të drogës.
Gjendja e sugurisë dhe rendit në vendit pritet të formojë debatin kryesor në zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm, ku presidenti Chavez do të kërkojë një tjetër mandat në krye të shtetit.
”Duhet të informojmë se viti 2011 ka qenë më i përgjakshmi në të gjithë historinë e kombit tonë”, shkruhej në një komunikatë për shtyp të Observatorit.
Autoritetet venezueliane e kanë pranuar problemin e krimit si një “çështje thellësisht shqetësuese”, edhe pse të dhënat zyrtare janë shumë më të ulta. Për të luftuar fenomenin, Chavez ka ngritur një polici të posaçme, por që ka rezultuar gjerësisht joefektive.
Rastet e vrasjes në vend janë rritur në mënyrë drastike që prej marrjes së pushtetit nga Chavez, në vitin 1998, kur u regjistruan 4 550 raste.
Lulëzimi i krimit të organizuar, e trafikut të drogës dhe ndëshimi në masë shumë të vogël i fajtorëve nga drejtësia janë arsyet kryesore që shpjegojnë këto statistika alarmante. Së bashku me vrasjet, edhe rastet e grabitjeve e pengmarrjeve janë rritur në mënyrë eksponenciale.
Top Channel