Vitin tjetër, Ministria e Financave parashikon të marrë rreth 41 miliardë lekë borxh, ku gjysma pritet të sigurohet nga bankat vendase, dhe pjesa tjetër nga institucionet financiare donatore, me kushte disi më të buta.
Duke pasur parasysh rezultatet e vitit 2011, ku në shumë raste bankat u treguan më të kursyera, ekziston rreziku i mosfinancimit sa duhet të deficitit buxhetor.
Drejtori i Menaxhimit të Borxhit Publik, në Ministrinë e Financave, Xhentil Demiraj, thotë për “Shqip”, se janë marrë të gjitha masat për mbulimin e deficitit me financime dhe se qeveria i ka të gjitha burimet e mundshme financiare.
“Situata e treguar tani nga bankat reflekton klimën rajonale në tërësi, por plani ynë për të kërkuar te bankat tona 19 miliardë lekë nuk besoj se i vendos para rrezikut. Kemi rastin kur morëm në 2010-n rreth 30 miliardë lekë dhe sërish tregu u përgjigj pozitivisht sa i takon likuiditetit në mbështetje të ekonomisë”, thotë Demiraj.
Në një dokument zyrtar, që shoqëron buxhetin e vitit 2012, Ministria e Financave pranon se, bankat, si pasojë e politikave të tyre të brendshme për riskun, kanë kufizuar disi pjesëmarrjen, veçanërisht në ankandet e obligacioneve. Kjo dëshmi e ministrisë tregon qartë ngurrimin e bankave për të financuar qeverinë.
Po çfarë plani ka qeveria në rast se bankat nuk i përgjigjen në kohë për nevojat e fondeve. Demiraj tregon manovrën e radhës.
“Kemi disa burime alternative financimi. Nëse bankat nuk i përgjigjen kërkesës sonë për ato financime huaje që planifikohet, do t’i drejtohemi bankave të zhvillimit, institucioneve financiare donatore. Te këto banka kemi planifikuar të marrim 22 miliardë lekë dhe kemi gati të tjera hapësira në rast se do të na lindë nevoja. Financimi nuk është problem”, sqaron kryemenaxheri i borxhit publik shqiptar.
Lidhur me raportin e “Moody’s”, Demiraj thotë se, kompania iku me përshtypje të mira dhe e priste një vlerësim të tillë, pozitiv, B+, në kushtet “kur kemi një borxh nën 60 për qind, një buxhet tepër konservator, deficit të ulët dhe rritje ekonomike”.
Top Channel