Një alarm i madh ka tronditur të hënën autoritetet e Romës, për shkak të shembjes së një cope të vogël nga një prej pjesët e jashtme të monumentit të Koloseut.
Ngjarja është denoncuar nga disa turistë, të cilët lajmëruan rojet urbane. Drejtoresh e monumentit të Koloseut, Rossella Rea ka bërë të ditur se shembja ndodhi rreth orës 12:30.
“Ishte shembja e një cope të vogël guri gëlqeror nga pjesa e jashtme e monumentit, në të cilin në mars do të bëhen restaurime”, ka deklaruar Rea.
Por shkak i shembjes së copës gëlqerore nuk ka qenë ndonjë lëkundje sizmike, apo ndonjë dëmtim nga vandalët. Shembja është shkaktuar nga një pëllumb.
Zona e monumentit të lashtë ku u regjistrua shembja është rrethuar me shirita që paralajmërojnë për kujdes dhe mbi objektin po bëhen verifikime.
Në momentin e ngjarjes, bën të ditur më tej drejtoresha, Koloseu ishte i mbushur me turistë për shkak të ofertës për ta vizituar falas që bëhet me rastin e Krishtlindjeve.
“Megjithatë, nuk ka pasur asnjë alarm dhe vetëm pak persona e vunë re”, ka shtuar drejtoresha e monumentit, të cilin për ta parë vijnë njerëz nga e gjithë bota.
Gjithësesi, dita me diell dhe temperatura e mesme kanë favorizuar suksesin për hapjen e jashtëzakonshme të monumentit me rastin e festës së madhe.
“Koloseu ishte plotë me turistë, shumë më tepër se dy vjet më parë, kur numëruam 4 mijë persona vetëm në mëngjes”, ka saktësuar Rea.
Këtë vit, ka shpjeguar drejtoresha, ishte e hapur edhe taraca e Rendit të Tretë, me mundësi vizite të drejtuara nga një guidë, si dhe një aktor që me zërin e Ciceronit tregonte se si zhvilloheshin lojrat e gladiatorëve.
Top Channel