Reforma fiskale e qeverisë edhe pse uli barrën direkte mbi biznesin përmes taksës së sheshtë, ka dështuar të ndërtojë një sistem tatimor të thjeshtuar dhe nxitës për sipërmarrjen.
Raporti “Paying Taxes 2012”, një botim përvitshëm i Bankës Botërore, e rendit Shqipërinë në vendin 152 nga 183 ekonomi në botë për nga thjeshtësia dhe barra e ulët e sistemit tatimor. Raporti, që kryhet nga kompania prestigjoze “Price Waterhouse Cooper” bën një analizë të hollësishme të sistemeve tatimore në mbarë botën nga këndvështrimi i biznesit.
Ai nuk kufizohet vetëm tek krahasimi i normës së taksave, por merr në konsideratë edhe kostot e fshehura administrative dhe burokratike që sistemi tatimor ngarkon mbi biznesin.
Sipas raportit, në Shqipëri barra totale e taksave, që përfshin tatimin mbi fitimin, kontributet për sigurime, dhe të gjithë taksat e tjera direkte është mesatarisht sa 38.5 për qind e fitimit vjetor të një biznesi. Edhe pse kjo shifër është më e ulët se sa mesatarja botërore, barra finale e biznesit në Shqipëri rritet nga kostot e fshehura, të cilat lindin nga koha e zgjatur që ndërmarrjet harxhojnë për të mbyllur llogarite më administratën tatimore si dhe numri i pagesave që ato duhet të kryjnë.
Sipas raportit, bizneset shqiptare duhet të harxhojnë 371 orë kohë në vit nga 277 orë që është mesatarja botërore për të mbyllur bilancet me administratën e taksave. Po kështu numri i pagesave që sipërmarrjet duhet të kryjnë në Shqipëri është 44 pagesa në vit kur mesatarja botërore e këtij treguesi është 28.5.
Për shkak të këtyre procedurave të ngarkuara sistemi tatimor në Shqipëri, sipas Bankës Botërore, jo vetëm që nuk është i thjeshtë por përkundrazi mbetet një nga më pak tërheqësit në botë duke rritur presionet për evazion fiskal.
Top Channel