Të gjitha ditët e fundit të këtij viti, por edhe ditët e para të 2012-ës pritet të shoqërohen me fluks në pikat kufitare nga shtetas shqiptarë që po hyjnë në vendlindje për të festuar, por që më pas do të rikthehen sërish pranë qendrave të vendbanimit.
Megjithatë, Policia Kufitare raporton se kulmi më i madh i këtyre radhëve është shënuar këtë të premte, me 15 mijë shtetas shqiptarë që kanë hyrë në atdhe vetëm nëpërmjet dy pikave të kalimit kufitar Kapshticë dhe Kakavijë.
Shefi i sektorit për kufirin e gjelbër, Genc Merepeza, shpjegon për Top Channel: “Vërehët një rritje e fluksit, sidomos në pikat kufitare të Kapshticës dhe Kakavijës. Dita më e ngarkuar ka qenë 24 dhjetori kun ë këto dy pika kalimi kanë hyrë mbi 15 mijë shtetas shqiptarë. U morën masa për një përpunim të shpejtë. Të gjitha drejtoritë rajonale kanë marrë porosi që të shtojnë postet e punës dhe po punohet me kapacitet të pllotë.”
Tre ditët e fundit, në Shqipëri kanë hyrë 29 mijë e 155 shtetas,
nëpërmjet pikave kufitare që raportohen si më të ngarkuarat, Kakavijë, Kapshticë, Rinas, Durrës dhe Vlorë. Policia Kufitare raporton se këto ditë kanë hyrë 13 mijë shtetas shqiptarë më shumë krahasuar me një vit më parë.
Ndërkaq, për këto 3 ditë, krahasur me një vit më parë, për festat jashtë vendit kanë udhëtuar 2553 shqiptarë, ndërsa në 2010-ën ishin 6254.
Deri në përfundim të festive, Policia Kufitare do të punojë me shërbim të përforcuar me sportele të shtuara edhe pse kjo është një masë që nuk mund t’i shmangë radhët që krijohen nga fluksi.
Fluks emigrantësh në Vlorë
E diela ka shënuar dhe ardhjen e shumë emigrantëve të cilët do të kalojnë fetat e fundvitit pranë familjeve të tyre në Shqipëri.
Porti i Vlorës, i dyti më i madh në vend, ka patur një fluks të madh gjatë ditës. Gjatë paradites ka pasur radhë të gjata në sportelet e kontrollit të dokumentacionit, pasi me dy tragetet e linjës Vlorë-Brindisi kanë mbëritur rreth 1700 pasagjerë si dhe 500 automjete.
Në krahasim me një vit më parë ky fluks është më i vogël. Ndërkohë emigrantët kanë shprehur shqetësimin se nga pala italiane ka një trajtim jo të mirë të tyre. Gjithashtu ata kanë shprehur dhe indinjatën për kushtet e trageteve të cilat ata janë të detyruar të udhëtojnë.
Top Channel