Referendum kundër mbeturinave

23/12/2011 16:15

Vendimi KQZ-së për lejimin  e mbledhjes së 50 mijë firmave të nevojshme për mbajtjen e një refendumi kërkuar nga “Aleanca kundër importit të plehrave”, është cilësuar nga përfaqësuesit e kësaj aleance si një fitore e parë.

KQZ pranoi kërkesën e përfaqësuesit të PD-së, i cili kërkoi se të gjithë personat që firmosin formularin e mbajtjes së referendumit, duhët të dorëzojnë një fotokopje të pasaportës ose kartës së identitetit.

Aktivistja e të drejtave të njeriut, Kozara Kati shpjegon se si do të kryhet mbledhja e firmave.

“Jemi të vendosur që këtë proces ta nisim që nesër pas marrjes së fletës tip nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe natyrisht me strukturat tona në qytetet e ndryshme do fillojmë të mbledhim firmat e qytetarëve për të marrë ‘Po’ e për të vazhduar më tej me procesin e referendumit”, thotë zonja Kati.

Megjithëse i cilësojnë kushtet e mbledhjes së firmave si një tëntativë për të vështirësuar procesin, përfaqësuesit e Aleancës janë të vendosur t’i mbledhin firmat e duhura deri në fund të janarit, duke garantuar ruajtjen e të dhënave personale të qytetarëve.

“Është e vërtetë që kërksat e KQZ-së në të vërtetë synojnë dhe arrijnë komplikimin e procesit të mbledhjes së firmave sepse është një kërkesë për mendimin tonë e paprecedentë, megjithatë ne kjo nuk na pengon në mbledhjen e firmave. Pengesa e vetme që kjo kërkesë krijon është mohimi i së drejtës për të marrë pjesë në referendum i popullatës që jeton në zonat rurale ku mungojnë aparaturat e fotokopjes, ku fotokopjimi është shumë i vështirë. Ne do jemi në gjendje të arrijmë mbledhjen e firmave dhe të garantojmë ruajtjen e të dhënave personale të të gjithë qytetarëve”, thotë Blendi Kajsiu, aktivist i Aleancës Kundër Importit të Plehrave.

E krijuar vetëm disa muaj më parë Aleanca Kundër Importit të Plehrave, ka kundërshtuar me forcë dy nenet e ligjit të miratuar në parlament që lejojnë importin e mbetje me qëllim riciklimin.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA