Emigrimi, ndryshime drastike në familjen shqiptare

22/12/2011 08:00

Migrim masiv i grave nga zonat rurale drejt Tiranës dhe Durrësit, nëna që i rrisin fëmijët pa praninë e baballarëve, të cilët janë në emigrim për të fituar bukën e tyre, banesa të reja e të vjetra të braktisura dhe të pabanuara në masë.

Këto janë disa nga karakteristikat e Shqipërisë që dalin nga censusi i zhvilluar në tetor. Të dhënat paraprake japin pak statistika, por është e sigurt që emigrimi i lartë është shkaku kryesor i rënies së lindshmërisë mes shqiptarëve, ndërsa mungesa e tokës dhe mungesa e punëve jobujqësore brenda vendit janë shkaqet kryesore që i çojnë shqiptarët jashtë vendit.

Ndërsa në pjesën më të madhe të vendit mbeten vetëm pleqtë dhe numri i meshkujve të rinj kapërcen dukshëm numrin e femrave të reja, në Tiranë dhe Durrës vihet re e kundërta.

Shqiptarët vlerësohet se kanë ndërtuar 290 mijë banesa gjatë dekadës së fundit, por 33 për qind e këtyre banesave janë aktualisht bosh. Në vitin 2001, vetëm 12 për qind e banesave qenë bosh.

Në Gjirokastër dhe Vlorë gati gjysma e banesave janë bosh, por kjo është jo vetëm pasojë e emigrimit, pasi në Vlorë dhe Sarandë (pjesë e Qarkut të Gjirokastrës), gjatë dekadës së fundit janë ndërtuar me mijëra apartamente që kanë mbetur pa shitur ose që banohen vetëm gjatë verës.

Ndërkohë, në fshatrat e Gjirokastrës raportohet se vetëm në 46 për qind të banesave ka njerëz dhe depopullim masiv raportohet edhe në banesat rurale në Vlorë, Tiranë dhe Durrës.

Familja shqiptare, e cila sipas metodologjisë së censusit nënkupton një grup njerëzish që jetojnë bashkë, është zvogëluar gjatë këtyre dhjetë viteve.

Nga 4.2 vetë për familje që kishte në vitin 2001, sot jetojnë 3.8. Edhe kjo rënie i dedikohet gjerësisht emigrimit dhe jo ndonjë fenomeni bashkëkohor si, fjala vjen, të rinjtë që jetojnë vetëm.

Në Gjirokastër jetojnë familjet më të vogla me 3.4 anëtarë mesatarisht, ndërsa në Kukës jeton familja më e madhe që ka ende 5 anëtarë.

Modeli i jetesës:

Familja

Në fshatrat e Kukësit familja ka 5.2 anëtarë mesatarisht dhe madhësia është rritur gjatë dekadës së fundit. Në fshatrat e Vlorës, si dhe në Korçë e Gjirokastër jetojnë familjet më të vogla.

Banesat

Një e treta e banesave në Shqipëri janë të braktisura. Shumë janë ndërtuar të reja nga emigrantët me shpresë se një ditë jetesa në vend do të përmirësohet. Në Vlorë e Gjirokastër është braktisja më e madhe.

Rënia

Në Gjirokastër shënohet rënia më drastike e popullatës, nga 113 mijë në vetëm 75 mijë vetë gjatë dhjetë viteve të fundit.

Rritja

Tirana dhe Durrësi janë dy zonat e vetme në vend që shënojnë rritje. Në Tiranë popullata u rrit nga 598 mijë në 764 mijë.

Emigrimi

Më shumë se 35 mijë vetë kanë braktisur Shqipërinë çdo vit gjatë dekadës së fundit, duke lënë pas gratë, pleqtë dhe fëmijët.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA