Vlorë, grabiten zyrat e DSHTRR

21/12/2011 16:20

Dy persona të maskuar dhe të armatosur kanë grabitur rreth orëve të drekës arkën e Drejtorisë së Shërbimit të Transportit Rrugor në Vlorë.

Burime nga kjo drejtori, konfirmuan se dy persona të maskuar dhe nën kërcënimin e armëve, kanë sulmuar fizikisht një prej rojeve të këtij institucioni dhe më pas kanë hyrë në mjediset ku kryhen shërbimet e pagesës së taksave dhe në prani të mjaft qytetarëve, kanë arritur të marrin rreth 2 milionë lekë.

Pasi kanë kërcënuar punonjësit me armë, ata i kanë detyruar t’u dorëzojnë paratë që ndodheshin në arka dhe më pas, janë larguar me një motor që e kishin lënë në sheshin përpara godinës.

Skema e aplikuar nga grabitësit është e njëjta që u përdor edhe në muajin qershor të këtij viti, kur persona të paidentifikuar arritën të grabisnin arkat e këtij institucioni.

Policia është vënë në ndjekje të grabitësve dhe ka nisur hetimet për zbardhjen e kësaj ngjarjeje.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA