Zjarrfiksi më i shkurtër në botë

19/12/2011 17:50

Zjarrfiksat shpesh portretizohen si heronj dhe si të tillë, është e zakonshme që të imagjinohen si trupmëdhenj dhe të aftë që të vendosin jetën e tyre në rrezik për të shpëtuar të tjerët.

Megjithatë, një portretizim i tillë nuk është gjithmonë i saktë, pasi këtë profesion të rrezikshëm, mund ta bëjnë edhe “liliputë”.

Në fakt, 19-vjeçari Vince Brasco, është një zjarrfikës në Pitburg, SHBA, i gjatë vetëm 125 centimetra. Ai doli vullnetar për të kryer këtë punë dhe falë përkushtimit të jashtëzakonshëm që tregoi gjatë kursit të përzgjedhjes, në fund arriti të fitonte vendin, pavarësisht përmasave jo të përshtatshme.

Ndonëse peshon vetëm 40 kilogram, i riu stërvitet në mënyrë të vazhdueshme në palestër dhe është në gjendje të shpëtojë nga flakët, duke ngritur nga vendi një njeri deri në 120 kilogramë.

Për fat të mirë, këtë ai e ka provuar vetëm në stërvitje, por Brasco e di që do të jetë i gatshëm kur të vijë momenti i duhur për ta provuar në jetën reale.

”Stërvitem shumë, pasi e di që nuk jam njësoj me të tjerët, por në jetën time jam mësuar që të arrij gjërat duke u përpjekur dy herë më shumë se një njeri i zakonshëm. Palestra më ka ndihmuar me të vërtetë shumë për të kryer si duhet detyrën, edhe pse vazhdoj të mendoj se si në çdo profesion, forca kryesore që të nevojitet është ajo mendore”, shprehet 19-vjeçari.

I përballur me akuzat se një zjarrfikës me këto përmasa trupore nuk mund të kryejë si duhet detyrat e tij në shpëtimin e njerëzve të mbetur në mes të zjarrit, Departamenti i tij sheh edhe një anë tjetër të medaljes.

”Është e vërtetë që punonjësit e tjerë janë në gjendje të ngrejnë pesha më të rënda, por nga ana tjetër, ka raste kur gjatë një zjarri, rruga mund të jetë aq e bllokuar, sa një njeri me trup normal nuk mund të kalojë. Shpresa e vetme për të mbetur në kurth, në një eventualitet të tillë, do të ishte Brasco”, argumenton drejtori i tij.

FOTO GALERI
1/3

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA