Bankat rrisin fitimin në 20 milionë euro

19/12/2011 08:10

Bankat në Shqipëri përjetuan një muaj pozitiv në tetor, pavarësisht se kreditë e këqija vijuan të rriten.

Gazeta ‘Shqip’ publikon se asetet e sistemit arritën në 7.95 miliardë euro, me rritje 0.9 për qind kundrejt shtatorit dhe me rritje 14 për qind në krahasim me tetorin 2010.

Portofoli i kredive u rrit me 15 për qind në terma vjetorë duke arritur në 3.9 miliardë euro, por rritja i dedikohet pothuajse tërësisht kreditimit të korporatave jofinanciare pasi kredia për familjet dhe individët njohu vetëm rritje të lehtë vjetore prej 5.4 përqindësh.

Nga ana tjetër, kreditë e këqija u rritën në 18.6 për qind të totalit të portofolit të kredive nga 18.4 për qind që ishin në shtator dhe 14.1 për qind në tetor të vitit të kaluar. Fitimet e akumuluara për periudhën janar-tetor të këtij viti u rritën në 2.8 miliardë lekë, (20 milionë euro). Në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, bankat patën realizuar fitime neto prej 4.4 miliardë lekësh, (rreth 32 milionë euro).

Bankat janë përballur me rritje të kredive të këqija gjatë tre viteve të krizës, kryesisht si pasojë e mosshlyerjes së kredive të dhëna gjatë viteve 2004-2007, kur bankat hynë në një garë të ashpër me njëra-tjetrën për të kapur tregun e pazhvilluar të kreditit në vend. Kreditë e këqija i hoqën bankave normat e larta të fitimeve që arritën në 25 për qind në vit mbi kapitalin e investuar.

Këtë vit, norma e fitimit mbi kapitalin aksioner ka rënë në 2.9 për qind. Rënia e fitimeve ka ulur gatishmërinë e bankave për të zgjeruar më tej numrin e të punësuarve dhe tregun e vet të kreditit. Gjatë 12 muajve të fundit bankat kanë kryer mbylljen e degëve apo agjencive jorentabël apo kanë zhvendosur aktivitetin në zona të ndryshme.

Numri i degëve dhe agjencive bankare u ul nga 554 në tetor 2010 në 548 në tetor të këtij viti. Një pjesë e agjencive dhe degëve është zëvendësuar me shtimin e ATM-ve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA