Nuk është momenti për të shpresuar, dhe as për të qarë

18/12/2011 00:00

Zamira Cavo – Kur pashë z. Berisha në një moment dobësie fizike, u ndjeva keq. Prita me ankth lajmet për shëndetin e tij.

Dhe e them me sinqeritetin më të madh, paçka se jam ndër kritiket e tij më koherente. Prandaj nuk mund të bashkohem dot me ata qindra të tjerë që komentuan, deri në urrejtje, shëndetin e tij. Por ama, jam me ata që shpresuan se nga një moment i tillë dobësie, çdo njeri ndien se duhet reflektuar ndaj asaj çka ka bërë dhe çfarë duhet të korrigjojë në jetë. Jeta nuk është shumë e gjatë dhe ne shpesh nuk e kemi në dorë. Jam dakord me ata që shpresuan se z. Berisha me kthimin e tij në punë do të rimerrte në konsideratë, të paktën, disa qëndrime ndaj asaj pjese të popullit që nuk e ka dashur e nuk e ka votuar si Kryeministër! Ose të paktën kështu dëshiruam. Por edhe këtë radhë z. Berisha na zhgënjeu. Intervista e tij në “Opinion” më bëri të reflektoj, për të disatën herë, në raport me Kryeministrin tim. Si gjithnjë ai na tregoi se nuk ka sëmundje që e mposht, dhe se ai do të qëndrojë në politikë sa të ketë jetë. Thua se vetëm Zoti do ta lëvizë nga pushteti! Në të gjithë intervistën e tij, ai u shfaq si i gjithëpushtetshëm, si një “monark”, që demokracinë e konsideron si mjetin për të ushtruar demagogjinë e tij publike. Kryeministri na tregoi se shëndeti i tij nuk njeh moshë, se “zgjedhjet e tjera do të jenë të fituara thellësisht nga partia e Tij”, se “nga partia e tij, cilido lider (nuk e di cilin tjetër, veç Berishës, konsideron lider Partia Demokratike) do të bënte mjaft mirë Presidentin e ardhshëm, se ai do të ishte në politikë deri sa të ishte gjallë etj., etj. Në këtë intervistë sërish akuzoi opozitën, sërish provokoi pjesën e popullit që nuk e voton, sërish tregoi “forcën” e pushtetit të tij gati absolut. Në rrjetet sociale në internet kam parë se shija e kësaj interviste jo vetëm që ka mbetur mjaft e hidhur tek ata që kundërshtojnë sjelljen e tij politike, por ka shpërthyer drejt një dëshire antihumane: T’i lutemi Zotit ta marrë sa më shpejt! Dhe kjo është një çmenduri publike që them se Kryeministri e provokoi me deklaratat e tij.

Realisht politika shqiptare është e lodhur nga sjelljet bajraktare të liderëve politikë. Është e lodhur nga fakti i përditshëm se shteti nuk funksionon. Njeriu i thjeshtë tenton të gjejë të drejtën dhe nuk e mbërrin dot. Ai pensionisti, që për gabimet e CEZ-it duhet të paguajë faturën milionëshe, ai pensionisti tjetër, që duhet të paguajë faturën e ujit afër milionit, nuk kanë ku të drejtohen, për të gjetur të drejtën, sepse nuk kanë as pushtet dhe as para! As ai pronari, që jeton me qira, sepse tokën e tij ia kanë zënë pa leje, nuk ka ku të ankohet. E drejta nuk gjendet! Drejtësia është vetëm “Pushtet politik”! Këtë ma tregoi Kryeministri në “Opinion”, kur mbrojti në mënyrë aq primitive ndërtimet pa leje, shkeljet e së drejtës, kur mbrojti publikisht shkelësit e ligjeve. Por realisht këtë ma ka treguar, po ky Kryeministër, dhe kur mbron në heshtje apo “gradon” në qeverisje njerëz, që realisht janë të njollosur me korrupsione galopante! Drejtësia është ajo që mban në këmbë shtetin, dhe mungesa e besimit në këtë sistem, është shkatërrim tërësor i tij. Kryeministri ka treguar me fjalë dhe me vepra, që nuk pyet për sistemin e drejtësisë!

Por kemi vite që qahemi për këtë situatë, edhe opozita qahet, megjithëse shpesh mendoj se edhe ajo vetë është për t’i qarë hallin! Por “qarjet” nuk mjaftojnë, madje nuk mjafton as shpresa që Kryeministri do “ndryshojë” nga vetja apo nga Zoti! Momenti historik që kemi përpara, është “çast” për të ardhmen tonë. Ne të gjithë duhet të ndihmojmë ta kapim çastin. Që do të thotë: të gjejmë rrugë e mjete të reja për ta ndryshuar politikën, që ne të mundësojmë një jetë të mirë, sikundër e meritojmë si popull. Shteti duhet të funksionojë! Shembulli i Francës duhet të na bëjë të mendojmë seriozisht për një shtet të së drejtës dhe jo një shtet ligjor të Berishës. Shiraku, ndër emrat kolosë në historinë e Francës bashkëkohore, dënohet! Kaq mjafton që qytetari francez të besojë në shtetin e vet! Njerëzit e mirë dhe të ndershëm gjenden kudo dhe pse ne themi se në Shqipëri nuk gjen të tillë. Ka madje mjaftueshëm që t’i shërbejnë këtij vendi me dinjitet dhe t’ia rikthejnë vlerat. Ka avokatë, prokurorë, që mbi profesionalizmin e tyre nuk vënë as jetën. Nuk po përmend emra vetëm për t’i respektuar në detyrat që bëjnë. Ka gjithashtu njerëz që për nga vizoni dhe dinjiteti i tyre janë të gatshëm të marrin përgjegjësitë historike. E rëndësishme është që këta njerëz të grupohen. A nuk e mori pushtetin në Slloveni Partia Sllovenia Pozitive, e krijuar vetëm përpara dy muajve nga Zoran Jankoviç?

Mjafton organizmi dhe rrugët gjenden!

 

Gazeta ‘Shqip’

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta