Vendimi i ERE-s nervozon CEZ-in

17/12/2011 08:00

Pritja e gjatë për të dhënë reagimin ndaj vendimit të Entit Rregullator të Energjisë u shua të premten pasdite (24 orë nga vendimi), kur CEZ paralajmëroi për uljen e investimeve dhe masa në kurriz të punonjësve të saj.

ERE, jo vetëm që nuk pranoi kërkesën e CEZ Shpërndarje për rritjen e çmimit mesatar të energjisë për konsumatorët në 4.5 për qind, por nga ana tjetër e “ndëshkoi” financiarisht kompaninë, pasi ia rriti tarifën e energjisë që blen te KESH, me dyfish.

Të marra së bashku, paraqesin një ulje të të ardhurave për kompaninë çeke në masën 19 për qind, sikurse deklaron shoqëria, ndërsa efektet ekonomike pritet të jenë edhe më të mëdha.

Miratimi i fundit i ERE-s vjen në vazhdën e një sërë vendimesh që shteti ka marrë në dëm të shoqërisë, ndërsa çekët nuk përjashtojnë asnjë opsion mbi të ardhmen në Shqipëri.

Të irrituar dhe me pak shpresë se situata financiare do të përmirësohet, CEZ deklaroi se vendimi për të mos rritur çmimin e dritave dhe shtrenjtimi i energjisë që blen te KESH do të ndikojë direkt te plani i investimeve dhe te stafi i punonjësve, pasi niveli i tarifave të reja hyn në fuqi në janar 2012 dhe përfundon në 2014-n.

Nga përllogaritjet e bëra, nisur nga sasia mesatare e energjisë që KESH ia shet CEZ-it, dhe me çmimin e ri të rritur, diferenca prej 1.4 lekësh, rezulton se për tre vjet, kompania del me humbje me të paktën 17.5 miliardë lekë, ose 130 milionë euro.

Kjo vlerë e re tashmë e pështjellon edhe më tej situatën mes CEZ dhe shtetit shqiptar, kur prej kohësh palët nuk gjejnë konsensusin për pagesën e borxheve.

Paralajmërimi

“Në bazë të vendimit të Entit Rregullator të Energjisë për tarifa të reja të energjisë elektrike për vitet 2012-2014, CEZ Shpërndarje ka pësuar ulje prej 19 përqindësh të tarifës së shpërndarjes dhe shitjes së energjisë elektrike”, bën të ditur kompania.

CEZ vë në dukje faktin se tarifa fundore është mbajtur në të njëjtin nivel edhe pas rritjes prej 91 përqindësh të tarifës të Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) dhe rritjes prej 8.3 përqindësh të tarifës së Operatorit të Sistemit të Transmetimit (OST).

Kompania thotë se ulja e të ardhurave me 19 për qind e detyron të marrë masa te 4500 punonjësit, duke nisur me shkurtimin e pagave, e deri te largimet nga puna.

Sa i takon investimeve, CEZ deklaron se vendimi i ERE-s nuk është në linjë me parakushtet e caktuara nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe Korporatës Financiare Botërore (IFC) për lëvrimin e huasë 65 milionë euro, që CEZ Shpërndarje ka marrë në mënyrë që të përmbushë planin e investimeve.

Në këtë kontekst, ky vendim do të ketë ndikim të madh në situatën financiare të kompanisë dhe në sasinë e investimeve në rrjetin e shpërndarjes së energjisë elektrike në Shqipëri.

Tarifat

Enti Rregullator i Energjisë, edhe gjatë periudhës së tretë rregullatore 2012-2014, vendosi të ruajë të njëjtat çmime, si edhe sistemi tarifor me dy blloqe, duke lënë në fuqi një  çmim 7.7 lekë kilovatë/orë për konsumatorët që konsumojnë deri në 300 kilovatë/orë dhe për konsumatorët që konsumojnë mbi këtë masë, çmimi i energjisë elektrike është 13.5 lekë kilovatë/orë.

Çmimi që KESH i shet energjinë CEZ-it u rrit nga 1.48 lekë për kilovat në 2.83 lekë, ndërsa tarifa për transmetimin e energjisë nga OST u rrit nga 0.6 në 0.65 lekë. Kjo do të thotë se CEZ mori në realitet ulje çmimi.

Kompania ka një bilanc me humbje që nga koha kur u privatizua. Ajo është ankuar sakaq në Sekretariatin e Energjisë në Vjenë kundër qeverisë shqiptare. Opinioni i Sekretariatit nuk ka fuqi ligjore, por mund të shërbejë si një argument në procese gjyqësore.  
 
Fatura

Nisur nga sasia mesatare e energjisë që KESH ia shet CEZ-it dhe me çmimin e ri të rritur, diferenca prej 1.4 lekësh rezulton se për tre vjet, kompania del me humbje me të paktën 17.5 miliardë lekë  Miratimi i fundit i ERE-s vjen në vazhdën e një sërë vendimesh që  shteti ka marrë në dëm të shoqërisë

Situata dhe masat

Ulja e të  ardhurave me 19% e detyron të marrë masa te 4500 punonjësit, duke nisur me shkurtimin e pagave, e deri te largimet nga puna

Çmimi

Tarifa fundore është mbajtur në të njëjtin nivel edhe pas rritjes prej 91% të tarifës të KESH dhe rritjes prej 8.3% të  tarifës së OST-së

Familjet

ERE vendosi të  ruajë të njëjtat çmime, 7.7 lekë kilovatë/orë për konsum deri në 300 kilovatë/muaj dhe 13.5 lekë për konsum mbi 300 kilovatë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA