“Omonia mbetet besnike e mbrojtjes të së drejtave të grekëve të cilët jetojnë në Shqipëri”. Kështu është deklaruar gjatë takimit për zgjedhjen e Këshillit drejtues të degës së OMONIA-s në Korcë.
Mbledhja është shoqëruar edhe nga deklarime të ndryshme mes pjesëmarrësve dhe organizatorëve. Në fjalën e tij , vetë kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule përvecse ka konfirmuar solidarizimin me shtetin grek për mbështetjen e ofruar ndaj miliona emigrantëve shqiptarë ka deklaruar se të gjithë anëtarët e OMONIA-s janë grekë dhe krenarë për këtë fakt.
Sipas Dules përballë sulmeve që i bëhen minoritetit, sepse janë grekë, kjo duhet të ngjallë edhe më tepër krenarinë e tyre pasi sipas tij civilizimi i sjellë nga Greqia ka qenë mjaft i rëndësishëm në botën e Perëndimit.
Ka qenë kryetari i përgjithshëm i Omonia-s Vasil Bollano i cili duke u përqëndruar tek procesi i censusit e ka konsideruar atë të paramenduar përsa i përket të dhënave që do të llogariteshin. Nga ana tjetër ai ka deklaruar se minoriteti do të vetëregjistrohet në vitin 2012.
E drejta e vetëdeklarimit është konsideruar jetike për minoritetet, ndërsa sipas të dhënave të vetë këtyre të fundit, familje të tëra nuk janë regjistruar për shkak të cështjes së kombësisë.
Top Channel