“Ajo që ndodhi ishte tronditëse”, Rama për Spitalin Onkologjik: Për herë të parë kemi fond për barnat, s’do ketë më mungesa
Aleksander Çipa – Kur ripërsëritshëm kreu i shumicës aktuale qeverisëse, i deklaron
Parlamentit e për rrjedhojë krejt shoqërisë sonë, rritjen e bujshme
ekonomike dhe financiare, shija ka qenë e përngjasueshme me fjalimet e
Ramiz Alisë (ndjesë pastë!) në vitet 1986-‘87.
Ndërsa flet për veprat dhe për kremtimin madhështor të 100-vjetorit të krijimit të shtetit shqiptar, gjithashtu imazhi rizgjon hijet bolshevike të jubileve me tribuna në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Kryeministri po imiton komunizmin me kësi fjalimesh dhe sidomos me kësi retorikash, të cilat nuk vlejnë as s’i përmbajtje e aq më tepër si inkurajim, për ritëm dhe optimizëm social dhe ekonomik për shoqërinë.
Udhëheqësi po jep prova të ikjes prej realizmit, prej realitetit dhe prej axhendës, për të cilën ky vend dhe kjo shoqëri e maturuar, aktualisht ka nevojë ekzistenciale.
Shqipëria po dominohet nga iluzioni politik i propagandës kryeministrore. Shtojeni vetë, si lexues, listën e premtimeve të këtyre pesë muajve të fundit: Monument i ri për Pavarësinë, Kompleks i ri parlamentar, Stadium të ri kombëtar, tunel i ri për rrugët kombëtare, 20 milionë pemë ullinj në krejt vendin, etj., etj….
Kjo tablo e madhështisë së premtuar është e vetmja përmbajtje që ofertohet në marrëdhënien politikëbërëse të kryeqeverisësit të vendit. Po sendërtohet këmbëngulja premtuese për të pamundurën, si e vetmja alternativë. Ky është jo një drejtim i gabuar qeverisës dhe politikëbërës, por një proces i rrezikshëm.
Politikani më jetëgjatë i Shqipërisë së sotme, më kryesori dhe më i rëndësishmi për nga roli dhe influenca në drejtimin e shtetit, po aplikon dhe përdor njëkohësisht, mjete të propagandës së dalëkohe dhe elemente të politikës bolshevike.
Kjo formë dhe kjo përmbajtje, padashur fyen, shpërfill dhe injoron flagrantisht, inteligjencën e qytetarëve dhe krejt faktorëve të maturuar të kësaj shoqërie.
Kryeministri pa politesë, po sillet me mjedisin urban dhe institucionet politike të vendit, si politikan socreal. Madje, mund të thuhet saktësisht se në këto tone dhe me këtë përmbajtje fjalimesh, ai po bie në peshën specifike dhe profilin e një kryeministri socreal.
Në vitin 2005, zoti Berisha u rikthye në pushtet, falë një kurimi triumfues të imazhit dhe potencës politike që mishërohet në biografinë e tij. E bëri këtë dhe shqiptarët, nën peshën e ndërgjegjes për një balancë dhe drejtpeshim në raport me kohën që kërkonte një qeverisje ndryshuese, reaguan përmbajtshëm. Platforma e kuruar dhe natyrisht e mirëpërgatitur, shkaktoi shpresë dhe solli risi. Mirëpo mandati i dytë qeverisës, po konsumohet në kohë si një deviacion dhe kapitull me progresion problemesh.
Kryeministri Berisha, pothuajse në çdo dalje publike të këtyre muajve të fundit, po tradhton realizmin dhe po naivizon faktologjinë e vet. Shtytimi i tij drejt një propagande socreale, duket si proces i pakthim i varfërimit të ideve qeverisëse dhe i rritjes së skepticizmit publik për transparencë dhe pastërti qeverisëse.
Shqipëria që qeveris kryeministri ynë, nuk është një shtet me integritet absolut ekonomik dhe financiar, në raport me rajonin. Dy vendet fqinjë, Italia dhe Greqia, përpëliten me falimentin. Ndërkohë që vendet e tjera fqinje në veri, verilindje dhe juglindje, janë në gjendjen rraskapitëse të dilemave për një të nesërme me trauma financiare dhe goditje të fuqishme recesioni kontinental.
Këtu kryeministri nuk ka përgjegjësi, por ai do të ketë përgjegjësi, ikjen prej realizmit ekonomik dhe financiar, mërgimin e tij prej rolit si qeverisësi që e parathotë rrezikun dhe e deklaron vështirësinë që vjen prej vetes dhe prej rrethanave rajonale e globale. Kjo e nesërme e vështirë që po vjen fenomenalisht si cunam social e ekonomik, nuk mund të përballohet prej vobektësisë fizike të shtetit tonë e as prej çdo lloj retorike primitive.
Ky vend dikur, në kohën e diktaturës së para dy dekadave, u zvogëlua deri në uri fizike dhe denatyralitet anatomo-antropologjik për shkak të politikës së hilesë dhe propagandës butaforike. Shoqëria e urreu atë regjim, sepse e shndërroi në qëllim propagandën dhe shkoi deri në “alternativën e barit”.
Natyrisht, tashmë nuk bëhet fjalë për një reminishencë deri në këtë farë feje, por e vërteta është se nevojitet një energjizëm solidar i shtetit dhe qeverisë së zotit Berisha, me qytetarët dhe strukturat e shoqërisë për të parandaluar çdo frakturë bankare, çdo “uri buxheti” dhe aq më keq, paralizë investimesh publike. Kësaj axhende, kryeministri nuk duhet t’i ikë, nuk duhet t’i bishtnojë e nuk duhet ta mbulojë me rrëfenja demagogjike apo indoktrinale. Koha dhe historia që po na afrohet nuk përballohet me fjalime dhe tubime socreale nëpër periferi dhe qendra rurale. Është moment i vonuar, është çast për të ikur rrufeshëm nga cikli i mitingjeve me tipologji tranzicioni.
Kryeministri po rikthehet fatkeqësisht në portretin e politikanit të tranzicionit që propagandën e mbart dominante, mbi cilësinë qeverisëse. Sepse ka më shumë se një vit që qeverisja nuk shënon risi. Politikëbërja, aq më keq, po mbetet në mezi-entuziazmin e kapërcimit të ngërçit dyvjeçar pozitë-opozitë.
Diferenca dhe disharmonia funksionale mes pushtetit qendror, pra Ekzekutivit të madh me pushtetin vendor, ka gjasa që në muajt e parë të vitit 2012, të bëhet shumë, shumë herë më e theksuar. Ankesat buxhetore janë parashkruar e po parathuhen, çka na bën të besojmë se në gjashtëmujorin e parë të vitit që vjen, kemi për të dëgjuar dhe ndjerë klithma politike dhe administrative, në shumicën e vendit.
Në këto kushte dhe kësi rrethanash që po shkojnë drejt mavijosjes shqetësuese, kryeministrit duhet t’i këshillohet dhe t’i afrohet vetëm konsultimi dhe solidariteti i rikthimit në realizëm.
Nuk fitohet shfajësimi me politikën e ikjes prej axhendës dhe me vokalin e ide-meitjes, ndërsa ke detyrimet e të qenit administrator i qeverisjes së vështirë. Është pa lidhje shpenzimi i kohës në nisje të dekadës së tretë të postkomunizmit, të marrësh përsipër e të shpenzojë energji antikomuniste për sinopsuse historibërëse apo rishkrim të historisë së diktatorit. Protagonisti Berisha ka detyrimin madhor si personazh historibërës i Shqipërisë së sotme, të paralajmërojë me transparencë se cilat janë rreziqet drejt të cilave udhëton vendi dhe shteti në këtë kohë recesioni global e aq më tepër, kontinental. Politikani 20-vjeçar duhet të sillet dhe të performojë me cilësinë dhe urtësinë e burrit pranë të ‘70-ave. Kjo alternancë mes moshës dhe përvojës, i kërkohet dhe duhet t’i këshillohet kryeministrit tonë.
Në njëkohësi dhe në emër të realizmit kombëtar, nëse lihet më tej në itinerarin dhe protagonizmin e tij socreal, duhet t’i sjellim në vëmendje se ndërsa po konsumon votëbesimin dhe kohën e gjatë qeverisëse, nga skena politike e Europës janë larguar me kohë bashkëkohës si Haveli mendjeditur, Tony Bler kurajoz, Berluskoni sharlatanokavalier dhe shemërakët lindorë si në këtë pjesë të Europës ashtu edhe në vise të tjera që po i ndryshon “pranvera”, jo-stinë.
Top Channel