Presidenti Bamir Topi ka deklaruar nga qyteti i Pogradecit se ai ka respektuar kushtetutën në detyrën e tij si Kryetar i Shtetit, ndërsa politikën e krahasoi me një lojë futbolli, në të cilën ai tha se vetë është një lojtar mesfushë.

Kjo ishte edhe përgjigjia e Topit ndaj deklaratave të kryeministrit Berisha, i cili një ditë më parë tha se Presidenti e shkeli betimin e tij.

“Në politikë qysh prej marrjes së detyrës s’e kam shkelur kurrë Kushtetutën dhe ligjet. Do vazhdoj të kryej detyrat e mia. Në futboll unë kam qenë lojtar i mesfushës, besoj edhe në politikë” mbylli duke qeshur Presidenti, Topi.

Deklaratat Presidenti i bëri gjatë festës së verës në Pogradec, ku e vlerësoi këtë qytet si një promotor për zhvillimin e turizmit.

Nga ana tjetër kryetari i bashkisë, Artan Shkëmbi është shprehur i kënaqur për rezultatin e arritur nga kjo festë e përvitshme.

“Kjo është një festë tradite që tashmë nuk e ka vetëm Pogradeci, por edhe shumë qytete të tjera të Shqipërisë. Por jo vetëm kaq pasi mes nesh ka edhe shumë dashamirës së verës, ambasadorë etj.”  tha  Artan Shkëmbi, Kryetar i Bashkisë së Pogradecit.

Festa e Verës në qytetin e Pogradecit ka mbledhur me qindra qytetarë edhe në stinën e dimrit.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta