Administrata tatimore njoftoi dje se ka konfiskuar 350 milionë lekë mallra në 30 subjekte si dhe ka vendosur gjoba në 15 subjekte të tjera në një aksion madhor kundër evazionit fiskal, informoi të premten e përditshmja “Shqip”.
“Janë bllokuar dhe konfiskuar 30 subjekte me aktivitete të ndryshme pa u regjistruar në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit, janë vendosur rreth 2 milionë lekë penalitete në 15 tatimpagues, të cilët nuk lëshonin kupon tatimor apo nuk kishin të instaluar pajisjet fiskale ndërsa rreth 50 lloje artikujsh janë konfiskuar në sasi të konsiderueshme pasi qarkulloheshin pa faturë tatimore”, – njoftuan tatimet.
Gjatë aksionit që zgjati 14 ditë, u kontrolluan rreth 1 mijë subjekte tatimore. Buxheti i shtetit gjendet aktualisht në vështirësi financiare si pasojë e të ardhurave të pakta, gjë që duket se ka shtyrë tatimorët të kryejnë më shumë aksione kontrolli se zakonisht.
Në Shqipëri vlerësohet se një pjesë e madhe e aktivitetit ekonomik kryhet jashtë kuadrit fiskal. Fakti që rreth 70 për qind e të ardhurave tatimore grumbullohen në dogana, tregon se për qeverinë rezulton pothuajse e pamundur të mbledhë taksa në çastin që mallrat kalojnë traun.
Për shumë mallra, çmimi i shitjes me pakicë është 3-4 herë më i lartë nga çmimi i kaluar në doganë, por qeveria arkëton taksa vetëm për çmimin e doganës. Nga ana tjetër, një numër shumë i madh subjektesh tatimore gëzojnë mbështetje politike, gjë që i bën të paprekshëm nga tatimorët.
Top Channel