“Ajo që ndodhi ishte tronditëse”, Rama për Spitalin Onkologjik: Për herë të parë kemi fond për barnat, s’do ketë më mungesa Përfaqësuesit e qeverisë i kanë dhënë Gjykatës Kushtetuese, ku po
shqyrtohet cështja e shembjes së Piramidës, dëshmi jo të sakta, kur ata
deklaruan se “në buxhetin e qeverisë do të miratohej edhe fondi për
ndërtimin e kompleksit të ri parlamentar.
Kjo mësohet nga një letër që deputeti socialist Taulant Balla i ka dërguar kryetarit të Gjykatës Kushtetuese Bashkim Dedja. Deputeti Balla në letër thotë: “Në seancën e fundit të zhvilluar më datë 23.11.2011, palët pjesëmarrëse paraqitën provat e tyre. Në këtë kuadër, nga përfaqësuesit e Qeverisë, u këmbëngul disa herë se në Buxhetin e Shtetit për vitin 2012 (që në ato ditë ishte në proces diskutimi në Kuvend) do të parashikoheshin fondet për ndërtimin e Godinës së re të Kuvendit dhe, për rrjedhojë, shfuqizimi i neneve të kontestuara të Ligjit, do të bllokonte këtë investim.Por në vijim, në Kuvendin e Shqipërisë më datë 5.12.2011 u miratua në tërësi Buxheti i Shtetit të Vitit 2012, në të cilin pas një shqyrtimi të thjeshtë, konstatohet se Qeveria nuk ka parashikuar alokim fondesh për ndërtimin e Godinës së re të Kuvendit të Shqipërisë. Nga ana e vet, gjatë diskutimeve në Komisione dhe në Seancë Plenare, as Kuvendi nuk ka kërkuar alokimin e këtyre fondeve”.
Zoti Balla njëri prej 28 deputetëve iniciues të dërgimit të kësaj cështje në Gjykatën Kushtetuese i quan pohimet e përfaqësuesve të qeverisë në gjykatë si jo të sakta.
“Mbi këtë bazë detyrohemi të pohojmë se përfaqësuesit e Qeverisë në gjyq nuk parashtruan të dhëna të sakta, të mbështetura në tabelat e buxhetit të shtetit për vitin 2012, duke deklaruar se këto fonde do të parashikoheshin. Gjithashtu mosparashikimi i këtyre fondeve e bën të pamundur ndërtimin në fjalë dhe për rrjedhojë edhe prishjen e godinës egzistuese”, thuhet në letër.
Bashkangjitur me këtë letër, kryetarit të Gjykatës Kushtetuese i është dërguar edhe një kopje e detajuar e buxhetit për vitin 2012, ku institucionit të parlamentit nuk i është vënë në dispozicion asnjë fond për ndërtimin e kompleksit të ri parlamentar.
Top Channel