Phobos-Grunt, dështimi i misionit rus për në Mars

16/12/2011 17:20

Phobos-Grunt, sonda ruse që dështoi në misionin e saj drejt Marsit, do të bjerë në tokë mes 6 dhe 19 janarit të vitit të ardhshëm.

Ky është lajmi i publikuar nga agjencia ruse e hapësirës, Roskosmos.

Sonda u lëshua në datën 9 nëntor, por për një avari teknike, nuk mundi dot kurrë të lërë orbitën e Tokës. Agjencia ruse u përpoq të marrë kontrollin e saj, por nuk ia doli.

Tashmë sonda 13.5 tonelata është tërësisht jashtë kontrollit. Pjesa më e madhe e saj do të shkatërrohet sapo të vihet në kontakt me atmosferën e Tokës. Por shkencëtarët rusë, thonë se një sasi prej 200 kilogram, pritet të prekë sipërfaqen e Tokës. Koordinatat e sakta të rënies së tyre, mund të mësohen vetëm pak ditë para rënies.

Rusët thonë se Phobos-Grunt, ka në bord një sasi të vogël kobalt-157, lëndë radioaktive. Megjithatë ata shtojnë se nuk do të përbëjë rrezik për kontaminimin e popullsisë.

Misioni i Phobos-Grunt, i nisur në muajin nëntor për në Mars, u propagandua fuqishëm nga agjencia ruse e hapësirës. Madje mediat ndërkombëtare nuk nxituan ta quajnë këtë mision një “hakmarrje” të rusëve ndaj amerikanëve për shkeljen e tyre të parë në Hënë.

Shkaqet e dështimit të misionit mbeten ende të paqarta. Një gjeneral i lartë rus, akuzoi për këtë Shtetet e Bashkuara dhe një satelit të tyrin që studion fushën elektromagnetike të Tokës. Këto studime, sipas rusëve, sabotuan komunikimin e bazës në Tokë me sondën Phobos-Grunt duke bërë që sonda të dilte jashtë kontrollit e të mos e linte kurrë orbitën e planetit tonë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA