Gjinushi: PD-PS, skemë për të vjedhur mandatet

16/12/2011 16:30

Shtohen pakënaqësitë në adresë të Komisionit për Reformën Zgjedhore dhe
akuzat për një marrëveshje të heshtur mes Partisë Demokratike dhe
Partisë Socialiste, me qëllimin final dobësimin e partive të vogla në
zgjedhjet e ardhshme të 2013-ës.

Nga selia e Partisë Socialdemokrate, kreu kësaj partie Skëndër Gjinushi deklaroi se reforma zgjedhore po dështon, pasi sipas tij, është e komanduar dhe e parafabrikuar, duke u përsëritur i njëjti skenar si në 2009-ën.

“Pra nga një anë bëjmë reformë, për të mos të vjedhur votën dhe nga ana tjetër mbajmë sisteme që vjedhin mandate. Ata që gjoja bërtasin se të vegjëlit jetojnë në kurriz të të mëdhenjve, shpikën ‘Dushkun e parë’ kundër të vegjëlve, pastaj shpikën ‘Dushkun e dytë’ për të komanduar votat midis të vegjëlve dhe së fundi mbajnë një sistem të ashtuquajtur spanjoll, për eliminimin e partive të tjera. Ajo që deformohet është vota e shqiptarëve, sepse në 2009 janë 160-170 mijë vota që nuk përfaqësohen në kuvendin e Shqipërisë, sipas vullnetit të dhënë prej zgjedhësve. Pra janë deformuar jo pak, por 15 deri 16 mandate, ndërkohë që Berisha qeveris vetëm me katër mandate të blera”, tha Gjinushi.

Skënder Gjinushi ka kërkuar që PS të mos sillet, si një mbështetëse e PD-së në hapat që do të ndërmerren në reformën zgjedhore.

“Ne e kuptojmë Partinë Demokratike, e cila kujton se do të përfitojë sërish nga një sistem i mbrapshtë, por nuk kuptojmë qëndrimin e Partisë Socialiste. Në rast se PS do të pranojë të bëjë reformë sipas tekave të PD-së, atëherë ajo është e dështuar dhe kjo shkon absolutisht në dëm te demokracisë dhe në dëm të opozitës. PS-ja s’duhet të jetë në tavolinën e reformës për të shërbyer si alibi, për reformat e rreme të Partisë Demokratike”, tha Gjinushi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA