Këshilli i Europës ka organizuar në Tiranë konferencën për krijimin e kapaciteteve me qëllim zbatimin sa më të shpejtë të vendimeve të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut.
Përfaqësues të Këshillit të Europës dhe gjykatës së të drejtave të njeriut u shprehën se sfidat me të cilat ndeshet sot Europa duhet të trajtohen dhe të zgjidhen duke patur parasysh parimet e demokracisë, zbatimin e të drejtave të njeriut dhe shtetin e së drejtës.
Vendet e rajonit, përfshi dhe Shqipërinë duhet të krijojnë kapacitetet e nevojshme dhe bazën ligjore për zbatimin sa më të shpejtë të vendimeve të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut.
Në këtë kuadër, Ministri i Drejtësisë Eduart Halimi, theksoi nevojën e implementimit të Konventës Europiane gërshetuar kjo edhe me vendimet e Gjykatës së të Drejtave të Njeriut.
Duke prekur një nga të drejtat themelore të njeriut, atë të pronës, Halimi deklaroi se së shpejti Shqipëria do të ketë strategjinë kombëtare të pronës, e cila do të shoqërohet edhe me regjistrin dixhital të pronave në Shqipëri.
Sipas Halimit kjo strategji pritet të miratohet në muajin janar dhe do të përmbajë plan konkret veprimi dhe masash për shpërblimin e drejtë dhe të plotë të pronave.
Top Channel