Merkel: Kriza do të tejkalohet

14/12/2011 00:00

Kancelarja gjermane Angela Merkel shprehet besimplotë se Europa do ta tejkalojë krizën e borxhit, duke dalë prej saj edhe më e fortë. 

Gjatë fjalës në Bundestag,  ku shpjegoi hapat e ndërmarrë në samitin e Brukselit, javën e kaluar, Merkel u kërkoi qeverive të dëshmojnë durim dhe të ndjekin planet për të integruar ekonomitë e tyre.

“Jam e bindur që nëse kemi durimin dhe qëndresen e nevojshme, nëse nuk i lejojmë vetes të jemi të demotivuar nga frenimet, nëse vazhdojmë rrugën drejt unionit fiskal dhe të stabilitetit, nëse plotësojmë unionin ekonomik dhe monetar apo arrijmë të korrigjojme gabimet e euros, atëherë, sic e kam theksuar që prej fillimit të krizës: Europa jo vetëm do t’i mbijetojë krizës, por do të dalë prej saj edhe më e fortë”, deklaroi Merkel.

Merkel pranoi se kjo ishte një prej krizave më të këqija që bie mbi shpatullat e kontinentit të vjetër, por vendet e Bashkimit Europian, duhet të shfrytëzojnë mundësitë, e krijuar prej saj.

 “Mundësitë e krizës dhe ky është besimi im i fortë, janë më të mëdha se rreziqet e saj. Gjenerata jonë politike ka një përgjegjësi historike për t’i përdorur këto mundësi”, shtoi Merkel.
Javën e kaluar, u arrit një pakt në samitin e Brukselit për rregulla të reja fiskale, të cilin media e cilësoi 27-1, duke iu referuar abstenimit të Britanisë së Madhe.

Merkel u tha deputetëve gjermanë se Britania e Madhe do të mbetet një partner i rëndësishëm i Bashkimit Europian pavarësisht vendimit të marrë javën e kaluar.

“Dua ta them hapur se ndjej po aq keqardhje që Britania e Madhe nuk na u bashkua në rrugën tonë, si edhe për vendimin kundër euros 20 vjet më parë, por nuk kam asnjë dyshim se Britania do të vazhdojë të jetë një partner i rëndësishëm në Bashkimin Europian, në të ardhmen”, tha kancelarja gjermane Merkel.

Fjala e saj erdhi pas rënies së euros në këmbim, me më pak se 1.30 dollarë dhe kur frika për të ardhmen e krizës vazhdon të shtohet.

Merkel dha pak detaje që mund t’i kënaqin tregjet financiare për krizën, por tregoi se qëllimi i saj parësor mbetet integrimi i bërthamës së BE-së.

Ekziston frika se pakti i arritur në Bruksel, javën e kaluar nuk është i mjaftueshëm për të parandaluar shtrirjen e duarve për plane shpëtimi, si Greqia, Irlanda dhe Portugalia, por sipas parashikimeve edhe Italia dhe Spanja.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA