SHBA, përplasen dy helikopterë ushtarakë

13/12/2011 00:00

Katër ushtarë u vranë kur dy helikopterë u përplasën gjatë një stërvitjeje në një bazë ushtarake në Shtetet e Bashkuara.

Koloneli Gary Dangerfield, nga baza Lewis-McChord në afërsi të Takomës, tha për mediat amerikane se rrethanat e përplasjes janë ende të paqarta.

“Mendja dhe lutjet tona shkojnë për familjet e të ndjerëve”, deklaroi koloneli, duke premtuar një hetim tërësor të ngjarjes së rëndë ajrore.

Baza Lewis-McChord njihet si një bazë e përbashkët, pasi atje qëndrojnë si frocat tokësore të ushtrisë amerikane, ashtu edhe ato ajrore.

Në të jetojnë mbi 100 mijë ushtarakë dhe personel civil, punonjës me kontratë, si dhe pensionistë, raporton gazeta “Seattle Times” në edicionin e saj online.

Koloneli Dangerfield deklaroi se dy helikopterë të tipit “OH-58” u përplasën gjatë stërvitjes ajrore, në një zonë të posacme në jug-perëndim të bazës, rreth orës 4 të mëngjesit të së martës.

“Ne do të zhvillojmë një hetim tërësor. Ne do të bëjmë gjithcka që kemi në dorë për të mbështetur familjet e ushtarëve guximtarë që humbën jetën”, u shpreh oficeri.

Top Channel