
Qeveria e Kanadasë ka prezantuar një vendim që ndalon mbajtjen e velos
islamike gjatë betimit për marrjen e nënshtetësisë kanadeze.
Ministri i Nënshtetësisë dhe Emigracionit, Jason Kenney deklaroi në një konferencë për shtyp në Montreal se kushdo që dëshiron të bëhet kanadez duhet të tregojë fytyrën.
Ai tha se gjyqtarët që trajtojnë cështjen e nënshtetësisë dhe anëtarët e Parlamentit janë ankuar se është e vështirë të verifikohet nëse aplikantët recitojnë gjatë betimit.
Rreth 940 mijë myslimanë jetojnë në Kanada, duke përbërë rreth 2.8 për qind të popullsisë. Velot ose mbulimi i fytyrës janë të ndaluar në Kebek për njerëzit që përfitojnë nga shërbimet e qeverisë.
Kanadaja po shqyrton zgjerimin e ndalimit të burkës në zyrat e qeverisë, shkolla dhe spitale. Ministri Kenney hodhi poshtë deklaratat se ndalimi shkel lirinë fetare të atyre që bëjnë betimin.
“Kjo nuk është vetëm një masë praktike. Është një cështje parimesh të thella që shkon në zemër të identitetit tonë dhe vlerave të lirisë dhe barazisë”, deklaroi ministri konservator. Ai shtoi se ligji kanadez e ka prioritet doktrinën fetare.
“Në këndvështrimin tim, ligji kanadez ka përparësi. Ky është një akt publik që bëhet para qytetarëve, përballë ligjit dhe ju duhet të tregoni vullnet për të treguar fytyrën tuaj. Mendoj se kjo është një hap përpara”, theksoi ministri.
Edhe vende të tjera, ato evropiane, po debatojnë mbi cështjen në fjalë. Franca dhe Belgjika për shembull kanë ndaluar mbulimin total të fytyrës në publik.
Top Channel