Hezbollah publikon emrat e agjentëve të CIA-s

13/12/2011 00:00

Grupi islamik shiit, Hezbollah, ka publikuar në televizionin lokal “Al
Manar” emrat e oficerëve të CIA-s, që sipas tij veprojnë në mënyrë të
fshehtë në Liban. 

Video të animuara u përdorën për të treguar takimet e supozuara mes oficerëve të CIA-s dhe informatorëve të saj në dyqanet “Starbucks” dhe “Pizza Hut”.

Një zëdhënëse e CIA-s deklaroi se agjencia nuk ka ndërmend të komentojë “deklaratat e rreme” të grupit islamik shiit.

“Agjencia, në bzaë të rregullave të saj, nuk u përgjigjet deklaratave të rreme të grupeve terroriste”, tha Jennifer Youngblood për “Associated Press”.

Televizioni “Al Manar” deklaroi se CIA ka 10 oficerë në Liban, të cilët përdorin të gjithë imunitetin diplomatik për të drejtuar rrjetet e inteligjencës në vend.

Ka shumë mundësi që Hezbollah t’ia ketë shpërndarë fotot e oficerëve të dyshuar të CIA-s edhe aleatit të tij të ngushtë, Iranit, ka deklaruar një burim anonim për “AP”.

Ky është episodi i fundit në luftën e spiunazhit mes Agjencisë Qendrore të Inteligjencës të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Lideri i lëvizjes shiite, sheiku Hassan Nasrallah deklaroi më herët gjatë vitit se dy nga anëtarët e grupit të tij kishin pranuar se spiunonin për shërbimet sekrete amerikane.

Administrata amerikane, që e fut Hezbollahun në listën e organizatave terroriste, i ka mohuar edhe këto deklarata.

Pozicioni i CIA-s në Liban u dobësua pas arrestimit të shumë agjentëve izraelitë në vitin 2009. Në vitin 1984, shefi i njësisë së CIA-s në Beirut u rrëmbye dhe u vra nga militantët e grupit shiit.

Së fundmi, edhe Irani ka deklaruar se ka arrestuar muajin e kaluar një numër të konsiderueshëm personash që sipas autoriteteve spiunonin ën favor të CIA-s për programin bërthamor të Teheranit.

Top Channel