Belgjikë, masakra në qendër të Liezhit

13/12/2011 00:00

Një person i armatosur hapi zjarr në qendër të qytetit  Liezh, të Belgjikës, në orën 12:30 minuta, duke vrarë 3 persona dhe plagosur 75 të tjerë, disa prej të cilëve në gjëndje të rende. 

Viktimat janë dy djem 15 dhe 17 vjec dhe një grua 75 vjecare.  Burime mjekësore thanë se edhe dy prej të plagosurve ndërruan jetë, mes të cilëve edhe një foshnjë vajzë. Por kjo nuk mund të konfirmohet, raporton BBC.

Autori është 33 vjecari Nordin Amrani i cili më pas vrau dhe veten. Nuk ishte i panjohur për policinë. Ai ishte dënuar me 58 muaj burg në Shtator të vitit 2008 për armëmbajtje pa lejë dhe posedim lëndësh narkotike.  Zyrtarët nuk e konfirmuan këtë por thanë se ai kishte kaluar, një periudhë kohe në burg.

Kryeministri belg, Elio Di Rupo vizitoi vendin e ngjarjes e përshkroi sulmin si “të tmerrshëm”.

“Nuk kam fjalë ta përshkruaj këtë tragjedi. Ne mendojmë së pari për viktimat, familjet dhe miqtë e tyre, por edhe për popullin e Liezh-it. I gjithë vendi ndan dhimbjen e familjeve të prekura dhe tronditjen që pësuan njerëzit”, deklaroi kryeministri belg, Elio Di Rupo.

Amrani duhej të paraqitej në komisariatin e policisë, për t’u marrë në pyetje lidhur me akuzat e ngritura kundër tij.

Banori i Liezhit doli nga shtëpia me një cantë të mbushur me armë, Kallashnikov, një pistoletë dhe tre granata. Dëshmitarët u shprehën të terrorizuar nga sulmi.

“Tre shpërthime të forta në vendndalimin e autobusit, të shtëna kundër turmës dhe të gjithë duke vrapuar. Unë munda të fshihesha”, tha njëri prej dëshmitarëve.

Sic raportojnë mediat, ai lëshoi granata nga tarraca e një ndërtese mbi një shesh të mbushur me njerëz.

“Isha në qendër të qytetit dhe në një moment pashë një djalë me Kallashnikov, që e zbrazi kundër njerëzve. Shpërthyen granata. Vendndalimi i autobusit shpërtheu. Ishte një panik i përgjithshëm. Kishte njerëz të plagosur nga plumbat”, tregoi dikush tjetër.

Fillimisht u besua se cfarë po ndodhte në qytetin belg ishte vepër e një celule, të përbërë nga 3 persona. Por teza e terrorizmit u hodh poshtë nga autoritetet e vendit.


Reagon Herman Van Rompuj

Kreu i BE-së Herman Van Rompuj, ka reaguar menjëherë pas sulmit në Liezh që shënoi të paktën 4 të vdekur e dhjetra të plagosur.

“Jam tepër i mërzitur nga vrasjet e tmerrshme që u bënë në sheshin Shën Lamber në Liezh. Mendoj së pari për ata që humbën jetën. Mendoj për ato dhe ata të tjerët që po luftojnë ende për të qëndruar mes nesh. Mendoj për të afërmit e tyre. Dhe përpara të pashpjegueshmes, qëndroj në hutim i tmerruar”, tha Van Rompuj.

Përpara se të zgjidhej si Presidenti i parë permanent i Këshillit të BE-së, Herman Van Rumpuj ishte kryeministër i Belgjikës për gati një vit. Ai dha dorëheqjen nga kjo detyrë më 25 nëntor 2009 për shkak të angazhimit të tij në institucionet europiane     

Top Channel