I arrestuar para tetë vitesh për llogari të hetimeve për vrasjen e trefishtë në Lundër mes të cilave edhe të Fatmir Ramës ose Mirit të Xhikes si dhe plagosjen e një të katërti, më në fund Lavdërim Tufës i sos durimi dhe kërkon lirinë.
Kur gjykata ende nuk ja ka dalë mbanë të shpallë një vendim të formës së prerë e të vulosë një ndër çështjet më të koklavitura, Lavdërim Tufa i është drejtuar Gjykatës së Tiranës nëpërmjet avokatit të tij duke kërkuar shuarje të masës së sigurimit. Burimet thanë se argumenti i kësaj padie bëhet në mbështetje të nenit 261/2 në të cilën i pandehuri shpjegon se ka kaluar çdo afat maksimal të paraburgimit që parashikon ligji, pra konkretisht nga tre vjet që shprehet ligji ai ndodhet në qeli prej tetë vitesh.
Vetëm para dy javësh Gjykata Penale e Tiranës e dënoi 35-vjeçarin Tufa me 20 vjet heqje lirie duke rrëzuar pretencen e Prokurorisë që këmbënguli për burgun e përjetshëm për të për ngjarjen e bujshme të Lundrës, ndodhur gjatë ndeshjes së futbollit Rusi-Shqipëri. Por, ndërsa ka bërë kërkesën në gjykatë për tu liruar, Tufa i është drejtuar edhe Gjykatës së Apelit për rrëzimin e vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë si dhe për marrjen e pafajësisë.
I pandehuri Lavdërim Tufa ka vite që endet sa nga njëra gjykatë në tjetrën, fillimisht kur u gjykua nga Gjykata e Krimeve të Rënda në 2006, çështja e tij u kthye në një kazus tipik jurisprudence nëse duhej apo jo ta dënonte kjo gjykatë. Por, në 2009 Gjykata e Lartë e zgjidh këtë enigmë duke dhënë verdiktin e saj dhe duke i kthyer aktet për rishqyrtim në Gjykatën Penale dhe jo të Krimeve të Rënda dhe pas një rishqyrtimi Gjykata Penale e Tiranës, mes të tjerash, u shpreh kështu:
Së pari, në armët e përdorura nga autorët nuk janë gjetur gjurmë të të pandehurit Lavdërim Tufa ;
Së dyti, dëshmitari i vetëm ocular, Ylli Kelmendi, që jep të dhëna për ngjarjen, deklaron se e njeh të pandehurin Lavdërim Tufa dhe se ai nuk ka qenë njëri nga personat që ka qëlluar mbi viktimat dhe
Së treti, gjurma e gjakut në armët e përdoruara dhe në kapuçin provë materiale nuk është e të pandehurit Lavdërim Tufa.
Gjykata krijon shumë dyshime për rolin e të pandehurit në këtë vepër dhe faktin nëse i pandehuri Lavdërim Tufa ka qenë njëri nga ekzekutorët apo vetëm një bashkëpunëtor, që ka ndihmuar ekzekutorët e kësaj vepre. Duke qenë një rrethanë të tillë e paprovuar dhe e dyshimtë, në zbatim të nenit 4 të Kodit Procedurës Penale, i cili parashikon se “çdo dyshim për akuzën çmohet në favor të të pandehurit”, interpretimi i rolit të të pandehurit Lavdërim Tufa në këtë vepër do të vlerësohet si më lehtësuesi për të, duke e konsideruar të pandehurin si ndihmës në kryerjen e kësaj vepre penale.
Është pikërisht cilësimi ndihmës i veprës penale që pritet të përdoret si strategji nga avokatët e tij në shkallët më të larta të gjyqësorit, në rast se kërkesa për lirimin e tij nuk merret parasysh nga Dhoma Penale.
Top Channel