Policia e Gjirokastrës vendosi nën pranga katër shtetas mëngjesin e së dielës, pasi në zotërim të tyre u gjet një sasi prej 5,5 kilogram hashash.
Operacioni i koduar “Shpërndarësit” solli arrestimin e Bernard Çunajt, Sajmir Metanit, Klodian Sinandemajt dhe V.Babushjes.
Trafikimi i drogës ka marrë përmasa “epidemike” së fundmi, me rastet të arrestimit të shpërndarësve që raportohen në mënyrë të zakonshme në media.
Fenomeni u pasqyrua qartë në ditët e fundit të nëntorit, ku për pesë ditë me radhë, policia zbuloi çdo ditë së paku një rast trafikimi.
Në 28 nëntor, policia e Gjirokastrës sekuestroi 75 kilogram hashash, në të njëjtën kohë që në Greqi u bllokuan 30 kilogram të së njëjtës lëndë narkotike, e shpërndarë nga shqiptarë.
Një ditë më pas, në 29 nëntor, një shtetas nga Këlcyra u ndalua gjithashtu pranë Gjirokastrës, duke transportuar 98 kilogram drogë. Në 30 nëntor, plot 450 kilogram marijuanë u ndaluan në qytetin e Vlorës , së bashku me dy shtetas, në mjetin e të cilëve u gjetën edhe armë zjarri.
Në dy ditët e para të dhjetorit, në segmetin Ballsh-Patos u ndalua një 27-vjeçar nga Fieri duke transportuar një kilogram heroinë të pastër, ndërsa në Kosovë u ndaluan 24 kilogramë substancë narkotike.
Top Channel