Kontrolli i Shtetit zbarkon tek Energjetika

10/12/2011 08:00

Prej një muaji, një grup inspektorësh të Kontrollit të Lartë të Shtetit kanë marrë një zyrë në Ministri të Ekonomisë dhe Energjetikës dhe po mbikëqyrin dosjet voluminoze të koncesioneve të dhëna për hidrocentralet.

Burime nga ministria bëjnë të ditur për gazetën ‘Shqip’ se kontrolli ishte i programuar me kohë dhe KLSH-ja gjendet në këtë dikaster për herë të dytë brenda këtij viti. “Është një kontroll normal, i programuar sipas kalanderit, nuk ka asgjë të veçantë”, – shton një zyrtar i ministrisë.

KLSH-ja është treguar mjaft e kujdesshme në trajtimin e rasteve të hetuara për shkelje në disa koncesione. Duke iu referuar raportit për vitin 2009, Kontrolli i Lartë kishte konstatuar një sërë shkeljesh të ligjit, sidomos tek afatet e tenderëve apo anulimin pa shkak të tyre. Çështja e koncesioneve me HEC-et ka ndezur me kohë opinionin publik për skandalet e shumta, ku përfliten deputetë, të afërm të tyre, madje edhe krerë të ministrisë, por pakkush është dënuar, edhe pse prokuroria për disa raste nisi hetime.

Në Shqipëri, nga biznesi vendas apo i huaj, janë marrë 110 koncesione për ndërtimin e rreth 300 HEC-eve, me një fuqi të instaluar prej 1300 MW dhe me një vlerë të llogaritur investimi prej rreth 3 miliardë eurosh. Megjithatë, edhe pse gati 100 për qind e energjisë elektrike prodhohet nga hidrocentralet, deri tani në vendin tonë është shfrytëzuar vetëm 35 për qind e potencialit hidroenergjetik.

“Do të ishte e patolerueshme për ekonominë shqiptare, që nga 110 koncesione për ndërtimin e rreth 300 HEC-eve, disa prej tyre të mbeten vetëm në letër, në një kohë kur janë me dhjetëra kompani serioze vendase apo të huaja që janë gati të investojnë kapitalin e tyre për të përfunduar këto objekte”, – deklaroi pak kohë më parë ministri i Ekonomisë, Nasip Naço. Qeveria ka deklaruar së fundmi se do të jetë e vendosur për respektimin rigoroz të kontratave koncesionare, qoftë edhe në zgjidhjen e tyre për disa subjekte, siç janë identifikuar tashmë në 15 raste flagrante.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA