Një avion i vogël është rrëzuar mbi një shkollë në Paranakue të Filipineve, në afërsi të kryeqytetit Manila. Të paktën 13 persona kanë mbetur të vrarë, mes të cilëve dy fëmijë, kanë bërë të ditur policia lokale dhe Kryqi i Kuq.
Kryetari i bashkisë së Paranakues, Florencio Bernabe deklaroi se asnjë nxënës nuk ndodhej në klasat e shkollës në momentin kur avioni u rrëzua, pak momente pasi ishte ngritur nga aeroporti i Manilës.
Një zjarr përfshiu shkollën në momentin e përplasjes së avionit dhe flakët u përhapën duke përfshirë edhe rreth 30 shtëpi që ndodheshin përreth.
“Bëhet fjalë për kasolle të ndërtuara me material që mund të marrë flakë menjëherë”, ka deklaruar Gwendolyn Pang, punonjës i Kryqit të Kuq në Filipine, për agjencinë “Associated Press”.
Ndërkohë, Ramon Gutierrez, shefi i Autoritetit të Aviacionit Civil, ka deklaruar se avioni lëshoi disa sinjale alarmi pak momente pasi u ngrit në ajër.
Ndërsa një banor i zonës tha për gazetën lokale “Philipine Star” se në shkollë sapo kishte përfunduar një festë për Krishtlindjet.
Kryebashkiaku Bernabe ka deklaruar më tej se të paktën 20 persona janë dërguar në spital pasi kanë mbetur të lënduar nga ngjarja. Ende nuk dihet me saktësi numri i personave që ndodheshin në avion.
Top Channel