Misteri i cështjes “Sofitel” thellohet. Edhe pse nuk ka prova për një komplot për shkatërrimin e karrierës politike të Dominique Strauss Kahn, skandali i Nju Jorkut fsheh një seri presionesh dhe interesash.
Sot, gazeta franceze “Liberation” ka zbuluar se ditën kur ish-drejtori i FMN-së u arrestua për dhunim, prokurori i Nju Jorkut, Cyrus Vance Jr., mori dy telefonata nga Parisi, një nga Ministria e Jashtme dhe tjetra nga ajo e Drejtësisë.
Sipas gazetës, prokuroria amerikane u vu në këtë mënyrë në dijeni të cështjeve të tjera në ngarkim të Strauss Kahn, atë në dëm të shkrimtares Tristane Banon, por edhe atë të festave me prostituta në Lile.
“Në këtë moment, hetimi i cështjes në Lile mbulohej ende nga sekreti i detyruar me ligj. Pika e dobët e ish-kreut të FMN-së, gratë dhe seksi, njihej në pallatin Elize shumë kohë para se të shpërthente skandali”, shkruan nga ana tjetër “Le Monde”.
Nicolas Sarkozy e dinte, shkruan e përditshmja. “E majta do të mbështesë me të vërtetë një manjak seksual?”, ka thënë sipas saj presidenti një ditë në zyrën e tij.
Kush e dinte nuk kishte menduar kurrë se Dominique Strauss Kahn do të kishte kandiduar, edhe pse socialisti ishte favorit në të gjitha sondazhet për të “nisur jetesën” në Elize.
Strauss Kahn, në biografinë e tij të publikuar pak ditë më parë, fliste për takimin që i shkatërroi jetën, duke thënë se ai ishte “konsensual”, por edhe “një veprim prej idioti”.
Gjatë muajit të kaluar, ai ngriti një padi për shpifje ndaj mediave, ndërsa u shpreh se ka dyshime se është mbajtur nën përgjim nga njerëzit që u “interesonte” diskretitimi i tij.
Top Channel