Indi, zjarr në spital, dhjetëra të vdekur

09/12/2011 09:15

Të paktën 73 persona kanë mbetur të vdekur, ndërsa një spital u përfshi nga flakët në mëngjesin e së premtes, në qytetin indian të Kalkutës.

Shumica e viktimave ishin pacientë që e kishin të pamundur të lëviznin. Flakët nisën në katin përdhesë të spitalit, përpara se të përhapeshin për pesë orë në mëyrë të pakontrolluar.

Bilanci i viktimave mund të rritet edhe më shumë në orët në vazhdim, kur të kontrollohen të gjitha pavionet dhe të verifikohen plagët e të plagosurve.

Ndonëse zjarret janë të shpeshta në Kalkutë dhe në qytete të tjera indiane, një tragjedi e përmasave të tilla është më e rënda në dekada. Drejtuesi më i lartë vendor, Mamata Banerje, e konsideroi zjarrin si një “krim të tmerrshëm”, ndërsa kërkoi ndëshkimin më të ashpër për zjarrvënësit. Megjithatë, autoritetet nuk kanë dalë ende me një version zyrtar për arsyet përse nisën flakët.

Sipas një zëdhënëse të spitalit, në të figuronin të shtruar 160 pacientë. Shumica e të vdekurve janë asfiksuar nga tymi. “Mund të konfirmojmë se 50 pacientë janë shpëtuar nga flakët dhe 73 kanë humbur jetën. Pjesa tjetër gjenden ende në godinë”, u shpreh një kryebrigadier i shërbimit të zjarrëfikseve.

Në hyrje të godinës kanë mbërritur edhe forca të shumta policore, të cilat përmbajnë një turmë gjithmonë e në rritje familjarësh të dëshpëruar për të mësuar diçka rreth fatit të të afërmve që kishin nevojë për kura mjekësore.

Shumica e zjarreve në Kalkutë, qytetin e bërë të njohur për shërbimin e Nënë Terezës në të, kanë ndodhur si pasojë e qarqeve të shkurtra elektrike. Që prej vitit 2008, kanë ndodhur dhjetë aksidente zjarri me disa viktima.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA