Emigrantët, të rrezikuar nga varfëria në Greqi-Itali

09/12/2011 08:20

Të huajt me banim në Bashkimin Europian kanë probabilitet më të lartë të bien në varfëri, bëjnë punë për të cilat janë të mbikualifikuar apo jetojnë në shtëpi të mbipopulluara, njoftoi zyra europiane e statistikave, “Eurostat”, në një studim të pasqyruar në faqet e gazetës “Shqip”.

Sipas të dhënave, emigrantët që jetojnë në Greqi e Itali përballen me vështirësi edhe më të mëdha në krahasim me ata që jetojnë në vendet e tjera të BE-së.

Sipas studimit, 45 për qind e të huajve që jetojnë në Greqi janë të rrezikuar të bien në varfëri dhe përjashtim nga shoqëria, ndërkohë që për vendësit, rreziku i rënies në varfëri është 23 për qind.

Rreth 49 për qind e të huajve në Greqi banojnë në shtëpi të mbipopulluara, ndërkohë që mes vendësve, vetëm 26 për qind jetojnë në kushte të këqija. Për Italinë, hendeku mes vendësve dhe të huajve është më i vogël se sa në Greqi, por gjithsesi më i lartë se sa mesatarja e BE-së.

Rreth 70 për qind e të huajve që jetojnë në Greqi janë shqiptarë ndërsa në Itali, shqiptarët përbëjnë 11 për qind të popullatës së huaj. Irlanda dhe Britania e Madhe duket se janë vendet më të mira për të qenë emigrant, për shkak se këtu hendeku mes vendësve dhe të huajve është shumë i vogël.

Ndërkohë, në Hungari, emigrantët e varfër janë më të paktë në raport me vendësit e varfër, por kjo për shkak se të huajt në këtë vend janë më së shumti punëtorë të kualifikuar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA