Berlusconi paraqitet në gjyq

09/12/2011 17:50

Pas largimit nga posti i kryeministrit, Silvio Berlusconi përballet me një nga proceset e shumta gjyqësore, ku është protagonist, e ku si dëshmitar.

Këtë herë, ish-kryeministri u paraqit në sallën e gjyqit për të dëshmuar në gjyqin kundër gazetarit Pino Belleri, i paditur prej Berlusconi-t për shpifje dhe shkelje të privatësisë që kanë të bëjnë me publikimin e disa fotove të shkrepura në të famshmen “Villa Certosa”.

“Fotot janë normale, por mënyra se si iu servirën publikut, duke i quajtur si ‘haremi i Berluscon-it’ është ajo që bie ndesh me realitetin dhe me atë se cfarë ka ndodhur në të vërtetë në Villa Certosa”, tha para gjykatës, Berlusconi.

Në disa nga fotot e publikuara nga Pino Belleri, shikohet Berlusconi i shoqëruar nga 5 vajza. Duke komentuar këtë fakt, “Kavalieri” tha se këto janë foto normale, që ai i ka bërë dhe i bën shpesh.

Skandali i “Villa Certosa”, shpërtheu në vitin 2009 dhe lidhej pikërisht me fotot e shkrepura që në vitin 2007 në “Villa Certosa”. Dhjetra foto të publikuara në mediat italiane shfaqnin Berlusconi-n nën shoqërinë e disa vajzave të reja. Nga fotot, shumë artikuj në mediat flisnin për një ‘harem të Berluscon-it”.

Një tjetër proces gjyqësor me të cilin duhet të përballet Berlusconi është edhe ai i favorizimit të prostitucionit, që lidhet me të ashtuquajturin “Rubygate”.

Në këtë proces, “Kavalieri” akuzohet për favorizim prostitucioni. Akuza rëndohet akoma më shumë, pasi dyshohet se në kohën kur bëhet fjalë, shtetësja marokene Ruby, e përfshirë në këtë skandal dhe që dyshohet se është liruar nga qelitë e paraburgimit e më pas paguar nga Berlusconi në këmbim të favoreve seksuale, ka qenë minorene.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA