Rekordi, merr 20 litra gjak gjatë operacionit

07/12/2011 20:40

Një grua skoceze, e cila pësoi një hemoragji të madhe gjatë lindjes, pati nevojë për 88 flakonë me gjak ose një total prej pothuajse 20 litrash, për t’i mbijetuar operacionit që duhet të ishte “rutinë”.

Një sasi e tillë gjaku përbën një rekord mjekësor, të paktën sipas të dhënave të njohura. E thënë më thjeshtë, 34-vjeçarja Fiona Christie ndërroi tre herë të gjithë gjakun që kishte në trupin e saj, në një operacion që zgjati shtatë orë dhe ku familjarët ishin lajmëruar që duhet një “mrekulli” për të mbijetuar.

Dhe pikërisht, mrekullia ndodhi. “Është një mrekulli që jam gjallë. Kirurgu më tha më pas se asnjëherë në jetën e tij nuk kishte parë një hemoragji si ajo e imja. Pata nevojë për 88 flakonë gjak, përfshi rruaza të kuqe, plazëm dhe shumë elementë të tjerë”, u shpreh skocezja.

Christie, vajza e shëndetshme e së cilës ka mbushur dy vjeç, është shndërruar në një dhuruese të rregullt në Bankën Skoceze të Gjakut. Megjithatë, ajo paralajmëron: “Mos prisni të dhuroj të gjithë gjakun që mora. Nuk jam një fabrikë”.

Një njeri i zakonshëm, në varësi të përmasave dhe gjinisë, ka mesatarisht 5-6 litra gjak në trupin e tij.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA