Qeveria heq kufizimet në punësim

07/12/2011 08:00

Një vendim qeverie, që ndalonte punësimet e reja në administratë, si dhe mbante të ngrira vendet vakante të punës nëpër organogramat e institucioneve qendrore publike, u shfuqizua së fundmi, bën të ditur gazeta ‘Shqip’.

Vendimi ishte marrë në korrik të këtij viti si një paketë masash për shkurtimin e shpenzimeve buxhetore dhe mbajtjen nën kontroll të deficitit buxhetor.

Vendimi anulonte pagesën për punë jashtë orarit, pagesën e pushimeve të pakryera, shpërblimet e ndryshme të dhëna gjatë këtij viti, si dhe plotësimet e vendeve vakante në administratë për një kohë të pacaktuar. Qeveria e zbuti vendimin me kalimin e kohës, pasi u pa që krijonte probleme të mëdha, veçanërisht në Ministrinë e Brendshme.

Fillimisht u anulua zbatimi i vendimit për forcat policore, ndërsa së fundmi u hoq edhe ngrirja e punësimeve në administratë. Disa mijëra vende pune janë zakonisht në çdo kohë vakante në administratën shtetërore, e cila punëson rreth 106 mijë shqiptarë. Vendimi hyri në fuqi të martën me publikimin në Fletoren Zyrtare dhe ka filluar sakaq të zbatohet.

Gjendja financiare e qeverisë duket më e përmirësuar gjatë muajve të fundit, si pasojë e kufizimit të shpenzimeve, ndërkohë që vështirësitë financiare këtë vit janë shfaqur në mungesë ilaçesh nëpër spitalet publike apo mungesë e mirëmbajtjes së zakonshme të ambienteve publike.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA