“SHBA, mbrojtëse ndërkombëtare e homoseksualëve”

07/12/2011 17:05

Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të angazhohen ndërkombëtarisht në mbrojtje të të drejtave të homoseksualëve, deklaroi Sekretarja e Shtetit, Hillary Clinton.

Deklarata u bë të mërkurën në Gjenevë, në një takim me diplomatë të huaj. “Të drejtat e homoseksualëve janë të drejta njerëzore”, u shpreh Clinton.

Nëpërmjet një memorandumi të presidentit Obama, diskriminimi seksual është shndërruar në një prej arsyeve të vlefshme për të kërkuar strehim politik në SHBA. “Qënia homoseksual nuk duhet të konsiderohet si krim në asnjë vend të botës. Sfondi kulturor apo fetar i një vendi nuk mund të përdoret kurrë si argument për të kundërshtuar këtë. Të jesh gay nuk është as një shpikje amerikane dhe as perëndimore. Është thjesht një realitet natyror”, shtoi Clinton, e cila e cilësoi veten si krenare që vendi i saj është shndërruar në mbrojtësin ndërkombëtar të këtyre të drejtave.

Midis të pranishmëve, ishin edhe përfaqësues të vendeve ku homoseksualiteti vazhdon të konsiderohet si një vepër penale. Gjatë tetorit, Kryeministri i Britanisë së Madhe, David Cameron, paralajmëroi me prerje të ndihmave vendet afrikane si Gana, Zimbabve dhe Uganda, ku homoseksualizmi dënohet me burg.

Javën e shkuar, Nigeria kaloi gjithashtu një ligj të shumëdebatuar, i cili kufizon të drejtat e komunitetit gay. Më parë gjatë vitit, Uashingtoni i adresoi një thirrje zyrtare Arabisë Saudite për të respektuar të drejtat e këtij komunitetit, që në bazë të ligjeve saudite, rrezikon deri dënimin me vdekje.

Aktualisht, tetë vende në botë parashikojnë deri dënimin kapital për homoseksualët, ndërsa mbi 30 kanë përshtatur legjislacione të ashpra, ku përfshihen dënime nga disa vite burg, deri në burgim të përjetshëm.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA