Mosmarrëveshjet janë të natyrshme në jetën në çift, por ndërsa disa sqarohen dhe të bëjnë të ndihesh më mirë, çështje të tjera vetëm sa rrisin tensionin dhe divergjencat midis partnerëve.

Sipas vëzhgimeve, shumë lidhje futen në krizë pasi mesazhi i debatit nuk kuptohet qartë prej partnerit tjetër. Këto janë pesë shembuj të zënkave tipike që ndodhin në çift.

1. Viktimizmi
”Përse sillesh kaq keq me mua?”, është një pyetje tipike në shumë lidhje, siç është tipike edhe përgjigja “sepse e meriton”. Ky është rasti tipik i viktimizimit, kur njëri nga partnerët mendon se faji është i gjithi i tjetrit.

Megjithatë, duke pyetur “përse sillesh kaq keq me mua?”, e vetmja gjë që bën është të tregosh se nuk ke fuqi reale mbi lidhjen. Në këtë rast, zgjidhja mund të vijë vetëm nëpërmjet marrjes përsipër të më tepër përgjegjësive dhe përqendrimit të bisedës mbi një çështje të caktuar. Përse sillesh kaq keq nuk është një pyetje që do të zgjidhë gjë. Pyetja e duhur duhet ngritur mbi diçka konkrete, jo mbi të gjitha njëkohësisht.

2. Heshtja
”Përse nuk thua diçka? Çfarë do të bësh”. “Nuk kam asgjë për të thënë”. Biseda tipike e një çifti me mungesë të theksuar komunikimi. Zakonisht, janë meshkujt ata që refuzojnë të shprehen.

”Gratë janë zakonisht efiçente me mënyrën se si përballojnë ndienjat e tyre, por meshkujt mund të “përmbyten” nga emocionet. Për ta është shumë e vështirë të argumentojnë mbi ndienjat e tyre, kështu që zgjedhin të evitojnë këto biseda”, shprehet një ekspert. Zgjidhja? Durimi. Për të pytur partnerin mbi tema që nuk do të jenë shumë të këndshme prej tij për t’u trajtuar, është e rëndësishme që të pritet një moment kur ai të jetë i qetë.

3. Tërheqja në vetvete
Nëse njëri prej dy partnerëve e ndien veten të sulmuar, atëherë mund të zgjedhë të mbyllet në vetvete dhe është pikërisht kjo pika kur komunikimi ndërpritet. Tërheqja në vetvete është një mënyrë natyrore reagimi nën presion, por një shenjë e tillë duhet të kuptohet si shumë shqetësuese nga partneri.

Zgjidhja, edhe në këtë rast është durimi, për të shkuar deri tek arsyet që shkaktojnë këtë tërheqje. “Nëse një njeri akuzon dhe tjetri mbrohet, i dyti do të mbrohet dhe do të kundërshtojë shpesh me argumenta të pabaza. Kjo do të fusë lidhjen në një rreth vizioz”, komenton një psikolog. Është pikërisht ky rreth vicioz ai që duhet shmangur.

4. Kritikat ekstreme
Atëherë kur një marrëdhënie përfundon në kritika personale, atëherë situata është me të vërtetë alarmante, sepse sharjet, etiketimet dhe sulmet personale janë të mbushura pothuajse gjithmonë me shumë mllef.

Të mësosh të shprehësh një pakënaqësi pa kaluar në kriticitet është e vështirë, por e domosdoshme. Kriticiteti duhet zbutur dhe adresuar me tone të buta, për të patur me të vërtetë efekt.

5. “E di se çfarë do të thuash”
”Nuk ka përse të flasim sepse e di çfarë do të thuash që pa hapur gojë”. “Mirë, sepse as kam pikën e dëshirës që të flas me ty”. Një bisedë e tillë, fatkeqësisht jo e rrallë, sinjalizon që një marrëdhënie është me të vërtetë drejt fundit.

Ajo që po ndodh në të vërtetë është që të dy partnerët janë të inatosur me njëri-tjetrin dhe tregojnë mungesë interesi e konsiderate. Për të gjetur një zgjidhje, është e rëndësishme që të dy partnerët ta duan diçka të tillë. Psikologët shpjegojnë se pothuajse të gjitha konfliktet, kanë arsye të tjera të fshehura.

Hapja e zemrës dhe përpjekja për të gjetur një kompromis me partnerin është veprimi i fundit që mund t’i japë edhe një shans një lidhjeje të tillë, përpara se zënkat të shkojnë në një pikë pa kthim.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA