Prodhimi i naftës vijon rritjen

05/12/2011 08:15

Prodhimi i naftës bruto në Shqipëri, veprimtari që tashmë kryhet pothuajse tërësisht nga kompanitë koncesionare, shënoi një rritje tjetër gjatë periudhës janar-shtator të këtij viti, sipas gazetës ‘Shqip’.

Prodhimi mesatar i naftës gjatë tremujorit të tretë arriti në 13700 fuçi në ditë, (afërsisht 2900 tonë) me rritje 40 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ndërsa falë rritjes së çmimit mesatar të shitjes, të ardhurat u rritën me 122 për qind, njoftoi kompania “Bankers Petroleum”. Të ardhurat e kompanisë për periudhën janar-shtator arritën në 251 milionë dollarë. Gjatë ditëve të fundit prodhimi ka shënuar kulmin në 14700 fuçi.

Kompania koncesionare shet pjesën më të madhe të naftës në tregun rajonal dhe një pjesë në vend. Territori i saj i shfrytëzimit është shtuar gjatë viteve të fundit me blloqe të reja të dhëna nga qeveria apo të blera nga kompani të panjohura, që më herët i kishin marrë me koncesion burimet nga qeveria.

Shqipëria ka një rezervë të vogël naftëmbajtëse që vlerësohet se do të shterojë rreth vitit 2025. Prodhimi i naftës në vend shënoi kulmin në vitin 1976, kur u prodhuan rreth 2.6 milionë tonë. Aktualisht prodhimi vjetor është rreth 600-700 mijë tonë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA