Harasani: CEZ vepron ndesh me ligjin

05/12/2011 19:45

Deputeti i PS, Andis Harasani ka rishprehur shqetësimin e tij për keqmenaxhimin e drejtuesve të kompanisë CEZ, të cilët sipas tij marrin rroga marramendëse.

Në një prononcim për Top Channel, Harasani ka theksuar gjithashtu se CEZ nuk po respekton kontratën e nënshkruar me shtetin shqiptar, që parashikon investime në sektorin e energjisë.

“Ne jemi të shqetësuar pasi 24 për qind të aksioneve të CEZ i ka shteti shqiptar. Shqetësimi jonë ka të bëjë me kërkesën për rritjen e cmimit të energjisë. Gjithashtu, ne s’kemi parë asnjë investim nga CEZ, por vetëm rritje rroge të drejtuesve të saj”, ka deklaruar Harasani.

Sipas tij, kompania ceke po vepron në kundërshtim me ligjet shqiptare dhe drejtuesit e saj po rrisin përfitimet e tyre financiare në mënyrë drastike.

“CEZ nuk njeh ligjet e vendit ku operon dhe nuk njeh as kontabilitetin. Prova më e fortë për këtë është aplikimi i saj me regullatorët e energjisë. 375 mijë euro në vit është rroga për menaxherët e saj”, ka nënvizuar Harasani.

Ish-drejtori i përgjithshëm i KESH më tej u ka bërë apel institucioneve përgjegjëse shqiptare, që të zbatojnë si duhet ligjin dhe të mos bëhen palë me kompaninë ceke.

“Unë mendoj se ERE duhet të jetë i paanshëm, të respektojë ligjin dhe të mos bëjë lëvizje të cmimit. Në Parlament duhet të kërkojmë respektimin e kontratës së koncesionit, pasi CEZ sot është një kompani me humbje, nuk i paguan shtetit tatim fitimin, ka rreth 65 milionë euro detyrime dhe po fut në krizë sektorin e energjisë”, ka shtuar Harasani.

Akuzat e tij Harasani i bëri edhe më herët në seancën e Kuvendit të Shqipërisë, ku e vuri theksin tek pagat e larta që marrin drejtuesit e CEZ.

Nga ana e saj, kompania ceke reagoi duke deklaruar se shifrat e përmendura nga deputeti socialist nuk përkojnë me realitetin.

Pak ditë më parë, duke marrë shkas nga situata e vështirë energjitike, Harasani dhe deputeti tjetër i opozitës Erjon Brace, thanë se sektori energjitik është keqqeverisur.

Gjithashtu, ish-drejtori i përgjithshëm i Korporatës Elektro-energjitike Shqiptare sugjeroi që qeveria të ndryshojë urgjentisht buxhetin e vitit të ardhshëm, për t’i paraprirë krizës energjetike. 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA