Cdo ditë ndeshemi në rrugë me njerëz të ndryshëm! Rrugët e Tiranës janë bërë aq të larmishme sa me siguri na duket se mund të dallojmë çdo tip individi! Për një vajzë me një veshje ekstravagante mendoni një mijë të zeza dhe bëheni paragjykues.
“Jam Desara Bytyçi dhe jam 23 vjeç. Jetoj në Tiranë dhe jam në vitin e dytë për juridik. Juridiku më pëlqen shumë si degë dhe është pjesa plotësuese e ëndrrës time të madhe për të vazhduar shkollën e Policisë dhe dua të bëhem një police e denjë e shtetit shqiptar”, shprehet Desara.
Oficerja dhe juristja e ardhshme nuk e ka problem që edhe ju mund të paragjykoni! Desara është krenare dhe e ndërgjegjshme për veten ashtu si familjarët e saj! Sigurisht jetojmë të gjithë në këtë shoqëri të zhvilluar çuditshëm me stereotipe të famshëm.
“Të paragjykuarit paragjykojnë. Edhe unë paragjykoj ata njerëz që kanë mundësi të mbahen dhe nuk dinë të mbahen”, thotë Desara.
Në një radio të vogël gjetëm një vajzë me flokë të kuqe të ndezur, manikyr po aq feksës, por prapë nuk zutë mend të mos paragjykoni!
“Jam Dorela, jam 22 vjeç dhe studioj për fizikë bërthamore.”
Ajo ka luftuar shumë për identitetin e vet vizual. Dorela është shumë e ndërgjegjshme për kufijtë që i vë trupi i saj dhe i dashuron minifundet! Mbase nuk do t’ju ndodhë shpesh të shihni një shkencëtare raketash me flokët ngjyre gjaku, por Dorela nuk do të shqetësohej fare nga asnjë lloj batute.
“Unë nuk mund të dal nga shtëpia e parregulluar, pa krehur flokët etj. Unë dua të ndihem rehat me veten dhe jo se çfarë mendojnë të tjerët për mua”, thekson Dorela.
Top Channel