Kriza ekonomike e Europës rrezikon të godasë më rëndë nga të gjithë kontinentin Afrikan, deklaruan përfaqësuesit e dy superfuqive ekonomike të kontinentit të premten, Ministrat e Financave të Nigerisë dhe të Afrikës së Jugut.
“Ekonomitë afrikane u goditën rëndë nga falimentimi i “Lehman Brothers” në vitin 2008 dhe historia është duke u përsëritur. E vetmja gjë që është zhvendosur është epiqendra e krizës. Ekonomitë tona, vazhdojnë të vuajnë seriozisht efektet”, deklaroi Ministri i Jashtëm i Afrikës së Jugut, Pravin Gordhan.
Ai gjithashtu shtoi se liderat europianë po tregojnë një ndërgjegjësim shumë të ulët përsa i përket “eksportimit” të problemeve të tyre ekonomike. “Për Afrikën është veçanërisht e rëndësishme që ekonomia botërore të jetë e qëndrueshme, por si një faktor kryesor, kontinenti nuk duhet të lihet jashtë bisedimeve për gjetjen e një zgjidhjeje”, shtoi ai.
Ndërkohë, Ministrja e Financave të Nigerisë, Ngozi Okonjo-Iëeala u shpreh se kriza botërore përkthehet me luhatje të padëshiruara të çmimeve të produkteve që vendi i saj eksporton dhe në lëkundje të mëdha në bursa. “60% e kërkesës për produktet nigeriane vjen nga vendet e Bashkimit Europian dhe SHBA, prandaj është e qartë që gjithçka që ndodh në këto dy zona të botës ka efekt të menjëhershëm edhe në ekonominë tonë. Sinjalet për ngadalësim edhe në Kinë, Brazil, e Indi, nëse verifikohen, vetëm sa do ta bëjnë krizën edhe më të vështirë për t’u përballuar”.
Top Channel