Egjipt, ankth për rezultatin e zgjedhjeve

02/12/2011 09:40

Këshilli Suprem i Ushtrisë, i cili qeveris Egjiptin në cilësinë e një qeverie të përkohshme, lajmëroi se rezultati i zgjedhjeve historike të mbajtura të hënën dhe të martën do të bëhet i ditur më vonë gjatë së premtes.

Lajmërimi ka përkuar me rikthimin e një qetësie relative në vend, me egjiptianët që presin me ankth të mësojnë rezultatin. Megjithatë, sipas ekspertëve, situata vazhdon të jetë e tensionuar dhe protestat mund të rikthehen në qendër të Kajros pas mësimit të rezultateve.

Dy parti islamike, “Vëllazëria Muslimane” dhe “Al-Noor Salafi” kanë deklaruar se kryesojnë në numërime, por burimet zyrtare nuk kanë bërë të ditur asnjë informacion, nga frika e revoltave.

Votimi i mbajtur më parë gjatë javës ishte i pari demokratik në Egjipt që prej rënies së ish-presidentit Mubarak, njeriut që drejtoi me dorë të hekurt gjatë 32-viteve të fundit Egjiptin. Vendi i madh arab, shtëpi e 84 milion banorëve, pritet të zgjedhë qeverinë e parë civile që prej më shumë se gjysmë shekulli. Katër liderat e fundit të vendit kanë qenë të gjithë gjeneralë ushtarakë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA