Grupimi kryesor opozitar në Siri dhe Rebelët e Ushtrisë së Lirisë (RUL) kanë rënë dakord që të koordinojnë veprimet e tyre kundër presidentit Bashar al-Assad.
RUL-i, gjithashtu lajmëroi të enjten se do të ndërpresë sulmet mbi forcat qeveritare, për të kufizuar numrin e viktimave në popullsinë civile. Takimi midis dy lëvizjeve të mëdha opozitare ndodhi në një krahinë jugore të Turqisë.
Sipas analistëve, bashkimi i RUL-it me bllokun opozitar mund të ndryshojë qasjen ndaj krizës siriane, pasi deri më sot, të dyja palët kanë mbajtur qëndrime të kundërta. Në të shkuarën, forcat opozitare i kanë sulmuar Rebelët e Ushtrisë së Lirisë, duke kërkuar ndërprerjen e përballjeve të armatosura.
Më parë gjatë ditës, Bashkimi Europian vendosi të merrte një bllok masash të reja shtrënguese ndaj qeverisë së Assad-it. RUL, e formuar në masë të madhe nga dezertorët e ushtrisë siriane, është një forcë prej 15 mijë personash. Megjithatë, ajo është e paaftë të përballet frontalisht me ushtrinë e stërvitur siriane, e cila llogarit një efektiv aktiv prej 250 mijë forcash.
Sipas vlerësimeve të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, katër mijë persona kanë humbur jetën në Siri në revoltat e dhunshme kundër regjimit të Assad-it, të nisura në muajin mars.
Top Channel