Nju Jork, policia në kërkim të vrasësit serial

01/12/2011 00:00

Policia e Nju Jorkut është vënë në kërkim të një vrasësi serial, që konsiderohet përgjegjës për 10 vrasje në Long Ajllënd.

Dhjetë trupa të dekompozuar u gjetën mes dhjetorit të vitit të kaluar dhe prillit të këtij viti në një rrugë përgjatë plazhit.

Vrasjet, tetë gra, një burrë dhe një fëmijë, datojnë në vitin 1996. Pesë nga viktimat, të gjitha gra, janë identifikuar dhe ka rezultuar se kanë qenë prostituta.

Fillimisht, detektivët u treguan të kujdesshëm në lidhjen e 10 vrasjeve, por tani ata thonë se një vrasës serial dyshohet të jetë përgjegjësi.

Një shpërblim prej 25 mijë dollarësh është vënë në dispozicion të personave që do të japin informacione të sakta dhe deri tani ka pasur mbi 1200 sinjalizim, por ende asnjë identifikim.

“Duke parë hedhjen e trupave, llojin e viktimave dhe dekompozimin e tyre në të gjithë Long Ajllëndin, teoria jonë është se bëhet fjalë për një vrasës serial”, deklaroi komisari i policisë së Kontesë Sufolk, Richard Dormer për agjencinë e lajmeve “Associated Press”.

Por zyrtari, i cili dikur mendonte se në vrasje ishin përfshirë të paktën tre persona, shton se jo të gjithë në departamentin e tij janë të këtij mendimi.

Mbetjet e para trupore u zbuluan më 11 dhjetor të vitit 2011, kur një oficer dhe një qen policie po kërkonin trupin e një prostitute që u zhduk në maj të atij viti.

Të gjitha gratë e vrara mendohet se ishin prostituta dhe po ashtu edhe mashkulli i vetëm, një aziatik i paidentifikuar që kur u gjet mbante veshur rroba femrash.

Ndërsa fëmija është lidhur përmes ADN-së me një tjetër viktimë që mendohet të jetë e ëma. Ata u gjetën rreth 11 kilometra larg njëri-tjetrit.

Top Channel